Tre persona raportohen të zhdukur në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, ka njoftuar se janë raportuar tri raste të personave të zhdukur vetëm në 24 orët e fundit.

Rasti i parë është raportuar në Ferizaj, ku një person ka lajmëruar se vajza e tij e moshës së mitur ka dalë nga shtëpia në mëngjes, dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

Në konsultim me prokurorin, është iniciuar lënda e rastit, e cila po vazhdon të hetohet.

Një rast tjetër është raportuar në Podujevë, nga një person i cili ka njoftuar Policinë po ashtu se vajza e tij e mitur ka dalë nga shtëpia dhe deri më tani nuk është kthyer.

Babai i saj ka raportuar se nuk ka asnjë njohuri për vendndodhjen e saj, ndërsa rasti po vazhdon të hetohet nga policia.

Rasti i tretë është në Istog, kur një person ka raportuar se nëna e tij, është larguar nga shtëpia dhe deri më tani nuk është kthyer.

Djali i të zhdukurës ka thënë se nuk di asgjë për vendndodhjen e saj, ndërsa policia me urdhër të prokurorit ka iniciuar rastin.