Tre persona në paraburgim, kapen me drogë në Gjakovë

Tre persona me inicialet G. I., J. I., dhe Rr. Sh., pritet të qëndrojnë një muaj në paraburgim pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Këtë kërkesë e ka bërë Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, të cilën e ka aprovuar Gjykata kompetente në Gjakovë.

Sipas njoftimit për medua nga bastisja janë gjetur 5 kilogramë e 571 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila është konfiskuar nga zyrtarët policorë.

“Prokuroria njofton se, më parë e deri më 26.10.2021, në fshatin Stubëll, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes,  kanë poseduar substanca të cilat me ligj janë shpallur narkotikë. Të njëjtit kanë qenë nën masat e fshehta të hetimit e vëzhgimit, e ku me datë të cekur më lartë, sipas urdhëresës së Gjykatës kompetente, është bërë bastisja në shtëpitë e objektet përcjellëse të pandehurve, ku nga kjo bastisje ka rezultuar me gjetjen e 5 kilogramë e 571 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila është konfiskuar nga zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurve ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh.