Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Tre pacientë me COVID-19 në Spitalin e Gjakovës janë nga Shqipëria

Në Spitalin Regjional të Gjakovës janë duke u trajtuar 23 pacientë të infektuar me coronavirus COVID-19.

Ardian Jusufi i cili bartë pozitën e ushtruesit të detyrës në drejtorisë në këtë spital tha për KALLXO.com se tre prej pacientëve janë nga Tropoja – Shqipëria.

Ai thotë se dy pacientë janë në gjendja jo stabile, ndërsa tjetri është në gjendje stabile. Tre pacientët janë nën asistim me oksigjeno – terapi.

“Një pacient nga Shqipëria është në repartin e infektivës, ndërsa dy pacientë të tjerë janë në repartin e Pulmologjisë”, tregoi Jusufi.

Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës bëhet e ditur se në total janë 204 pacientë të cilët po trajtohen në institucionet shëndetësore në vend, prej tyre pesë janë në mjekim intensiv në Klinikën Infektive, ndërsa 130 janë me oksigjeno – terapi.

Aktualisht në nivel vendi janë 35 mijë e 51 raste aktive me coronavirus përderisa brenda 24 orëve në nivel vendi janë duke u regjistruar mbi 2 mijë raste pozitive.

SARS-CoV-2 është infeksion i cili përhapet përmes spërklave andaj institucionet shëndetësore kërkoj nga qytetarët që të bartin maskën, të mbajnë distancën dhe të higjienën personale, si njëra ndër mënyrat e vetme për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Edhe vaksinimi është njëra ndër mënyrat më efikase për parandalim të vdekjeve nga coronavirusi. Nga 29 marsi i vitit të kaluar e deri më tani në nivel vendi janë administruar mbi 1,7 milion doza të vaksinave anti-COVID.