Nëntogerët e FSK-së në trajnim në ShBA. Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës, Facebook

Tre nëntogerë të FSK-së u trajnuan për artileri në ShBA

Tre nëntogerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë përfunduar kursin bazik të udhëheqjes për artileri fushore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FSK njofton se Shpëtim Hasani, Labinot Osaj dhe Arian Karaxha kanë ndjekur këtë trajnim që ka për qëllim përgatitjen e ushtarakëve për udhëheqës të Togut të Artilerisë, Oficer të Mbështetjes me Zjarr si dhe si Oficer të Drejtimit të Zjarrit.

Karaxha ka fituar edhe çmimin “Distinguished International Honor Graduate” për shkak të sukseseve që ka treguar.

“Si udhëheqës të Togut të Artilerisë pjesëmarrësit marrin njohuri praktike për pajisjen Howitzer amerikan M777 (155mm), M109 (155mm), dhe M119 (105mm). Në modulin e Mbështetjes me Zjarr, përgatiten ushtarakët për specifikat e Howitzereve, planifikim dhe thirrje të mbështetjes me zjarr, vëzhgimin e zjarrit si dhe llojet e mbështetjes që ofron artileria fushore si dhe në fushën e Qendrës së Drejtimit të Zjarrit trajnohen për kalkulimin dhe faktorë të ndryshëm që ndikojnë në një qitje sa më precize” – thuhet në njoftimin e FSK-së.