Ilustrim

Tre muaj para zgjedhjeve, Qeveria shpenzimet në rritje e të hyrat në rënie

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi llogaritë qeveritare të Kosovës, ku paraqiten të hyrat dhe shpenzimet qeveritare gjatë tremujorin e tretë të këtij viti, ku shihet se të hyrat ishin 600.7 milionë euro, ndërsa shpenzimet 511.9 milionë euro.

Sipas ASK-së, pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në prodhime, të cilat paraqesin 68% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve (30%), kontributet sociale dhe përfitimet (26%), formimi i kapitalit bruto (21%),  dhe konsumi i ndërmjetëm (12%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve.

Qeverisë i ranë të hyrat pothuajse sa shpenzimet qe i rriti ajo

Të hyrat në tre muajt korrik-shtator, pësuan rënie prej 10 milionë euro në raport me tremujorin prill-qershor. Ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2018 rënia është më e thellë prej 35 milionë eurosh.

Në tremujorin e tretë të vitit 2018, të ardhurat qeveritare ishin në vlerën e 635.9 milionë euro.

Në anën tjetër, shpenzimet e qeverisë nuk e kanë kursyer kuletën e shtetit. Në tremujorin e tretë të sivjetmë, ato i bie se u rriten për 18 milionë euro në krahasim me tremujorin paraprak të cilat ishin në vlerën e 493.9 milionë euro, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2018-të, shpenzimet qeveritare janë mbi 37 milionë euro më shumë.