AKI- Ilustrim

Tre muaj ‘pa zot shtëpie’, AKI pritet të bëhet me drejtor të ri

Institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në vend, Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), pritet së shpejti të bëhet me drejtor të ri.

Kështu, pas tre muajve, AKI pritet të ketë një kryespiun pasi që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, mbeti ‘pa zot shtëpie’.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i ekzekutivit kosovar, Përparim Kryeziu.

“Së shpejti do të kemi drejtorin e ri të AKI-së, emërimi i të cilit do të jetë i ligjshëm dhe kushtetues. Do të jetë një person me kompetenca profesionale, integritet njerëzor, apartiak, apolitik dhe në shërbim të shtetit”, ka thënë Përparim Kryeziu për KALLXO.com.

Kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur ish kryeministri Avdullah Hoti dhe ish Ushtruesja e Detyrës së Presidentit Vjosa Osmani, e kanë shkarkuar nga pozita atëherë drejtorin Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Kreshnik Gashin.

Por, ani se ishin dakorduar lehtë mes vete për shkarkimin e kryespiunit kosovar, njëjtë nuk e kishin bërë emërimin e ri të drejtorit të AKI-së.

Kështu, institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në vend ka mbetur pa prijës.

Ligji për AKI-në, neni 5 i tij ku flet për drejtorin e këtij institucioni të sigurisë, thotë që “Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Tani, pasi është zgjedhur qeveria e re në krye me Albin Kurtin dhe po ashtu, postin e presidentit e ushtron kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pritet të bëhet emërimi i shefit të ri të AKI-së.

AKI aktualisht drejtohet nga zëvendësdrejtoresha, Vlora Hyseni.

Për emërimin e shefit të ri të AKI-së nuk ishin pajtuar, tashmë ish-kryeministri, Avdullah Hoti dhe ish U.D presidentja, Vjosa Osmani.

Që kur u themelua AKI, në vitin 2009, janë ndërruar pesë drejtor në këtë institucion.