Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tre krerët e shtetit zotohen për vënien e drejtësisë për secilin person të zhdukur

Me rastin e 27 prillit, Ditës Kombëtare për Persona të Zhdukur, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë nderime te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit.

Presidentja Osmani tha se sot e gjithë Republika e Kosovës, secili qytetar i saj bashkëndjen me familjarët e mbi 1 mijë e 600 të zhdukurve me dhunë nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas Osmanit në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen gjithë njerëzit dhe kur të ketë drejtësi për secilin prej tyre.

“Po ashtu dua ta ritheksoj sot në prani të të gjithë familjarëve prezent se kjo nuk do të jetë asnjëherë vetëm barrë e tyre është barrë e jona të gjithëve bashkërisht sepse ata janë njerëzit tanë. Plagën e hapur e kemi të përbashkët, dhimbjen e përbashkët dhe të jeni të sigurt se zëri juaj do të dëgjohet gjithkund”, tha Osmani.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani tha se sot i kujtojnë të gjithë të zhdukurit dhe për Kosovën sipas saj nuk ka gjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve.

Kryeministri Albin Kurti tha se të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe në aktivitetet qytetare.

Kurti tha se udhëheqësit e gjenocidit serb duhet të vihen para drejtësisë.

“Sot shënojmë 22 vjetorin e masakrës së Mejes që është dëshmi tjetër e gjenocidit serb në Kosovë. Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë. Urdhërdhënësit e gjenocidit në Kosovë të sjellën para drejtësisë që të akuzohen, gjykohen e dënohen”, tha Kurti.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti tha se Kjo është plagë që nuk e mbyll kalimi i kohës.

Kurti tha se së bashku me krerët institucional janë zotuar që do të bëjnë krejt çka munden e dinë.

“Nuk mundë të shtypet e ndrydhet përjetë e vërteta ajo e nxjerr kokën e del. Në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes tonë, e të historisë tonë, ne duhet të bëhemi bashkë dhe ta kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës në institucionet tona në secilën pozitë që e mbajmë”, tha Kurti.

Edhe kryekuvendari Glauk Konjufca, tha se gjitha masakrat që i ka kryer Serbia në Kosovë janë akte të gjenocidit.

“Krimi i shumëfishtë që Serbia e ka bërë është që shumë prej tyre i ka rrëmbyer, e i ka zhduk me dhunë. Në Serbi ka dhjetëra varreza masive të shqiptarëve trupat e të cilëve janë gjetur pas luftës, mirëpo shumë prej atyre ende nuk janë zbuluar dhe Serbia i mbanë të fshehura nuk i tregon”, tha Konjufca.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai tha se kanë dal që ti nderojnë gjithë të zhdukurit me dhunë, dhe sipas tij është obligim që të bëjnë çmos që drejtësia të ndodh e të vij në vend.

Edhe Bajram Qerkini përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur tha se kur institucionet respektojnë familjarët zbutet një plagë e cila ende është e pa shërueshme.

“Për ne familjarët është e pa shërueshme deri të shkojmë në atë botë. Por edhe puna të bëhet me vepër, kjo është porosi për familjarët”, tha Qerkini.