Skenë nga filmi ‘Luaneshat e Kodrës’. Foto: QKK

Tre filma nga Kosova fitojnë tri çmime në Sarajevë

Filmat “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e Kodrës” dhe “Pa Vend” kanë fituar tri çmime në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Lajmi është bërë i ditur në web-faqen zyrtare të Festivalit.

Tri aktoret kryesore të filmit “Luaneshat e Kodrës”  të regjisores Luana Bajrami; Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani kanë fituar çmimin “Zemra  e Sarajeves” si aktoret më të mira. Ndërsa Norika Sefa me filmin e saj “Në kërkim të Venerës” ka fituar çmim të veçantë për promovimin e të drejtave të barabarta gjinore. Kurse ”Pa Vend” i regjisorit Samir Karahoda është shpërblyer me mirënjohje speciale të jurisë.

Filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit ishte shfaqur premierë në edicionin e fundit të festivalit të filmit në Kanë të Francës.

Premiera e këtij filmi ishte shfaqur në kuadër të programit “Director’s Fortnight”.

Po ashtu, filmi “Pa vend” i Samir Karahodës është shfaqur premierë në festivalin e filmit në Kanë të Francës. Ky film kishte garuar në kategorinë kryesore të filmave të shkurtër për “Palmën e Artë”. Prezent në premierën e këtij filmi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa,“Në kërkim të Venerës” në prill të këtij viti kishte fituar dy çmimet kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hong Kong.  Ky film, me regji dhe skenar nga Norika Sefa, kishte fituar çmimin regjisorja më e mirë (Golden Firebird Award), dhe çmimin aktorja më e mirë (Best Actress International), për rolin kryesor të interpretuar nga Kosovare Krasniqi.

Festivali i Filmit në Sarajevë është themeluar më 1995 gjatë luftës së Bosnjës. Ky festival është një prej festivaleve më mëdha ndërkombëtare të filmit.