Tre deputetë të pushtetit s’marrin pjesë në votim, seanca e Kuvendit shtyhet në mungesë kuorumi
Kuvendi i Kosovës edhe në seancën e mbajtur më 26.09.2024, ka dështuar të miratojë Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, pasi nuk ka kaluar amendamenti i pestë i këtij projektligji.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca konstatoi se vetëm 38 deputetë morën pjesë në votimin për amendamentin e propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes Visar Korenica.
Pas kësaj pike, ai e ka hedhur në votim edhe Projektligjin për Zyrtarët Publikë, por as për këtë projektligj nuk pati kuorum të mjaftueshëm.
Konjufca njoftoi se janë tre deputetët të mazhorancës të cilët kanë deklaruar që nuk marrin pjesë në votime.
Ndërsa tha se për ketë arsye mbyllen punimet e seancës për sot.
“Brenda grupit të mazhorancës, së paku tre deputetë nuk do të votojnë, asgjë, asnjë projektligj, kështu që nuk ka kuorum Kuvendi për me vazhdu. Caktojmë seancën tjetër më gjasë javën e ardhshme”- tha ai.
Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.
Ndërsa në lexim të dytë, ky projektligj nuk ka arritur të miratohet ndonëse është hedhur në votim që disa herë.
Amendamenti i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, përcakton se e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit.