Tre burra dyshohet se rrahën gratë e tyre

Tri raste të dhunës në familje, përkatësisht të rrahjes së grave nga burrat, janë raportuar nw Polici në 24 orët e fundit në Kosovë.

Policia e Kosovës ka arrestuar dy nga të dyshuarit për dhunë kundër bashkëshorteve, ndërsa njëri nga ta ndodhet në arrati.

Në Ferizaj një burrë është arrestuar mbrëmë rreth orës 20:30 nën dyshimin se sulmuar fizikisht bashkëshorten, për të cilën Policia thotë se është detyruar t’i nënshtrohet tretmanit mjekësor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një grua në Suharekë gjithashtu ka pranuar trajtim mjekësor, pasi e njëjta, pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti, të cilin Policia njofton se e ka arrestuar.

Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas organeve të rendit, rasti i tretë i raportuar për dhunë fizike ndaj një gruaje nga burri i saj, e të cilës po ashtu i është dashur të kërkojë intervenim mjekësor, ka ndodhur mbrëmë në fshatin Shtitaricë në Vushtrri. Policia njofton se përkundër rastit të hapur dhe intervenimit, nuk ka arritur ta gjejë të dyshuarin dhe ai ndodhet në arrati.