Trazira dhe revolta në Kazakistan: Çfarë po ndodh dhe pse ka rëndësi?

Ndërkohë që protestat në shtetin e pasur me naftë të Azisë Qendrore kanë marrë hov, ngjarjet atje po kërcënojnë të bëjnë bujë në të gjithë rajonin.

Protestat në Kazakistan të nxitura nga frustrimet për rritjen e çmimeve të karburanteve janë intensifikuar duke shkuar drejt diçkaje më të ndezshme dhe të përgjakshme: përleshjet për udhëheqejn e ardhshme të Kazakistanit që kanë shkaktuar një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Rusia dhe vrasjen e dhjetëra demonstruesve antiqeveritarë. Qindra të tjerë janë plagosur, shkruan New York Times.

Qeveria deklaroi dje, të premten, se rendi ishte “rivendosur kryesisht” pasi mijëra protestues të zemëruar dolën në rrugët e Kazakistanit, duke krijuar krizën më të madhe e cila e ka tronditur shtetin autokratik të Azisë Qendrore qyshkur fitoi pavarësinë në vitin 1991.

Sallës së qytetit në Almaty, qyteti më i madh i Kazakistanit, iu vu flaka. Një turmë e zemëruar e pushtoi aeroportin. Protestuesit dogjën automjetet e policisë dhe degën rajonale të partisë në pushtet Nur Otan. Policia, nga ana tjetër, akuzoi demonstruesit si përgjegjës për vdekjen e 13 oficerëve dhe plagosjen e 353 të tjerëve.

Presidenti Kassym-Jomart Tokayev ka autorizuar forcat e sigurisë së vendit të “qëllojnë pa paralajmërim”. Përgjigja e ashpër vjen një pasqyrim i sfidave të ashpra me të cilat ai përballet më pak se tri vjet në qeverisjen e tij dhe duket se parashikon një sulm ndaj të gjitha formave të mospajtimit, duke përfshirë aktivistët antiqeveritarë, avokatët e të drejtave të njeriut dhe gazetarët e pavarur.

Protestat po destabilizojnë një rajon tashmë të paqëndrueshëm ku Rusia dhe Shtetet e Bashkuara konkurrojnë për ndikimin e tyre. Ata gjithashtu simbolizonin një pakënaqësi të gjerë me qeverinë autoritare të Kazakistanit dhe me korrupsionin endemik që ka rezultuar në përqendrimin e pasurisë brenda një elite të vogël politike dhe ekonomike.

Si erdhi puna deri tek protestat?

Nga pesë republikat e Azisë Qendrore që fituan pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Kazakistani është deri tani republika më e madhe dhe më e pasura.

Kazakistani shtrihet në një territor me madhësinë e Evropës Perëndimore dhe ndodhet në majë të rezervave kolosale të naftës, gazit natyror, uraniumit dhe metaleve të çmuara.

Mirëpo, ndërkohë që pasuritë natyrore të Kazakistanit e kanë ndihmuar atë të kultivojë një klasë të mesme solide, si dhe një grup të konsiderueshëm manjatësh ultra të pasur, vështirësitë financiare janë të përhapura dhe sistemi bankar ka rënë pre e krizave të thella të shkaktuara nga kreditë me probleme. Si në pjesën më të madhe të pjesës tjetër të rajonit, korrupsioni i vogël është i shfrenuar.

Në rajonin Zhanaozen dhe më gjerë kanë zgjatur prej kohësh pakënaqësitë për shkak të ndjenjës se pasuritë energjetike të rajonit nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë midis popullatës lokale.

Në vitin 2011, policia qëlloi për vdekje të paktën 15 persona në qytet, të cilët po protestonin në mbështetje të punonjësve të naftës të pushuar nga puna pas një greve.

Zemërimi i protestuesëve pa kulmin e saj kur qeveria i hoqi kufijtë e çmimeve për gazin e lëngshëm të naftës – të përmendur shpesh me inicialet e tij, L.P.G. — një karburant me pak karbon që shumë kazakë e përdorin për fuqizimin e makinave të tyre. Mirëpo protestat kanë rrënjë më të thella, duke e përfshirë zemërimin ndaj pabarazive sociale dhe ekonomike, të rënduara nga pandemia e egër, si dhe mungesën e demokracisë reale atje. Paga mesatare në Kazakistan është e barabartë me 570 dollarë në muaj, sipas statistikave të qeverisë, por shumë njerëz fitojnë shumë më pak.

Çfarë duan protestuesit?

Ndërkohë që protestat janë intensifikuar, kërkesat e demonstruesve janë zgjeruar në shtrirje nga çmimet më të ulëta të karburanteve në një liberalizim më të gjerë politik. Ndër ndryshimet që ata kërkojnë është një sistem zgjedhor për udhëheqësit rajonalë, të cilët aktualisht emërohen nga presidenti.

Shkurt, protestuesit po kërkojnë largimin e forcave politike që kanë qeverisur vendin pa asnjë kundërshtim esencial që nga viti 1991.

Pse trazirat në Kazakistan kanë rëndësi për rajonin dhe botën?

I vendosur midis Rusisë dhe Kinës, Kazakistani është vendi më i madh në botë pa dalje në det, më i madh se e gjithë Evropa Perëndimore, megjithëse me një popullsi prej vetëm 19 milionë banorësh.

Demonstratat e fundit janë të një rëndësie sepse ky shtet është konsideruar deri më tani si një shtyllë e stabilitetit politik dhe ekonomik në një rajon të paqëndrueshëm, edhe pse ky stabilitet ka ardhur me çmimin e një qeverie represive që ngulfat disidencën.

Protestat janë gjithashtu të rëndësishme pasi Kazakistani është i lidhur me Rusinë, presidenti i së cilës, Vladimir V. Putin, e sheh Kazakistanin – një trup i dyfishtë për Rusinë për sa i përket sistemeve të saj ekonomike dhe politike – si pjesë e sferës së ndikimit të Rusisë.

Ndërhyrja nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një version rus i NATO-s, është hera e parë që klauzola e saj e mbrojtjes është përdorur, një veprim që mund të ketë pasoja gjithëpërfshirëse për gjeopolitikën në rajon.

Trazirat në Kazakistan kanë ekspozuar edhe një herë cenueshmërinë e liderëve të fortë të cilëvë Kremlini iu ka besuar për ta mbajtur rendin. Këto trazira i kanë ofruar Rusisë edhe një mundësi tjetër për ta rikthyer ndikimin e saj në domenin e saj ish-sovjetik.

Për Kremlinin, ngjarjet në Kazakistan përfaqësojnë një tjetër sfidë të mundshme për pushtetin autokratik në një vend fqinj. Kjo është kryengritja e tretë kundër një kombi autoritar, të lidhur me Kremlinin, pas protestave pro-demokracisë në Ukrainë në vitin 2014 dhe në Bjellorusi në vitin 2020. Kaosi kërcënon të minojë ndikimin e Moskës në rajon në një kohë kur Rusia po përpiqet ta mbrojë ekonominë e saj dhe fuqinë gjeopolitike në vende si Ukraina dhe Bjellorusia.

Vendet e ish-Bashkimit Sovjetik po ndjekin gjithashtu nga afër protestat dhe ngjarjet në Kazakistan mund të ndihmojnë në energjizimin e forcave opozitare gjetkë.

Kazakistani gjithashtu ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara, pasi është bërë një vend i rëndësishëm për shqetësimet amerikane të energjisë, me Exxon Mobil dhe Chevron që kanë investuar dhjetëra miliarda dollarë në Kazakistanin perëndimor, rajon ky ku filluan trazirat këtë muaj.

Edhe pse ka lidhje të ngushta me Moskën, qeveritë e njëpasnjëshme të Kazakistanit kanë mbajtur gjithashtu lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara, me investimet e naftës që shihen si kundërpeshë ndaj ndikimit rus. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka qenë prej kohësh më pak kritike ndaj autoritarizmit post-sovjetik në Kazakistan sesa në Rusi dhe Bjellorusi.

Si i është përgjigjur qeveria protestave?

Tokayev, presidenti i Kazakistanit, i ka quajtur protestuesit “një bandë terroristësh”, e ka shpallur Kazakistanin si një vend nën sulm, ka autorizuar forcat e sigurisë të “qëllojnë pa paralajmërim” dhe ka kërkuar nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga Rusia të ndërhyjë.