Trashëgimia kulturore në Kosovë: Pse organizatat ndërkombëtare nuk u përmbahen politikave të tyre?

Këtë të diel (18 prill) ishte Dita e Trashëgimisë Botërore, një traditë vjetore e filluar nga UNESCO më 1982 që i kushtohet njohjes së vendeve me rëndësi historike dhe theksimit të nevojës për të ruajtur trashëgiminë kulturore.

Tema për vitin 2021 ishte “E Kaluara Komplekse: E Ardhmja e Larmishme”, me këtë UNESCO deklaroi se “historia e një vendi mund të përfshijë shumë këndvështrime”, duke shtuar se “ruajtja e trashëgimisë kulturore kërkon shqyrtim të kujdesshëm të së kaluarës”.

UNESCO gjithashtu deklaroi se “adresimi i historive të vështira dhe shpesh të kontestuara përfshin biseda komplekse me aktorë të ndryshëm, me qëllim që te shmangen pikëpamjet dhe interpretimet e njëanshme të së kaluarës”.

Prandaj, në këtë ditë, publiku global u ftua nga UNESCO për të reflektuar mbi nevojën e përqafimit të diversitetit duke pranuar dhe dëgjuar të gjitha palët, përvojën e tyre, dhe marrëdhëniet me të kaluarën. Kjo qasje duhet përshëndetur, pasi qasja monolite e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore nuk do të ketë sukses dhe as nuk do të kontribuojë në menaxhimin efektiv të vendeve të trashëgimisë kulturore.

Sidoqoftë, në Kosovë, ku nevoja e përfshirjes së të gjithë palëve të interesit në diskutimet mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është veçanërisht e rëndësishme, organizatat ndërkombëtare të specializuara në ruajtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore shpesh kanë dështuar ta adaptojnë këtë qasje.

Në periudhën e pasluftës, agjencitë ndërkombëtare, përfshirë UNESCO, Këshillin Ndërkombëtar të Monumenteve, ICOMOS dhe EuropaNostra kanë neglizhuar rregullisht faktin që Kosova ka qenë e lidhur me tradita të ndryshme kulturore dhe me shumëllojshmëri fetare gjatë gjithë historisë së saj.

Kjo ka çuar drejt një qasje të njëanshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe Serbia në anën tjetër ka realizuar disa poena politikë.

Së fundmi, EuropaNostra, një organizatë e cila vepron si një stafetë midis shoqërisë civile dhe institucioneve të BE-së, duke rritur ndërgjegjësimin për vlerën e trashëgimisë kulturore, renditi Manastirin e Deçanit si një nga shtatë monumentet më të rrezikuara në Evropë.

Manastiri u nominua përmes programit ‘7 Më të Rrezikuarit’ të EuropaNostra, i cili identifikon monumentet dhe vendet e rrezikuara në Evropë dhe mobilizon partnerë publikë dhe privatë në një nivel lokal, kombëtar dhe evropian, për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për ato vende.

Listimi i Manastirit të Deçanit ishte shumë i diskutueshëm, për sa i përket arsyeve, si ndryshuan këto arsye pas draftit të parë e po ashtu edhe për mospërputhjen midis këtyre arsyetimeve dhe realitetit në terren. Kjo e fundit pasqyron veçanërisht mënyrën në të cilën duket se është kryer i gjithë ky proces.

Procesi i identifikimit dhe emërimit të një vendi të rrezikuar për këtë program, tipikisht do të përfshinte një organizatë lokale – pra një organizatë brenda Kosovës ose një organizatë anëtare te Aleancës së Trashëgimisë Evropiane, e cila do duhej të jetë e njohur me këtë objekt dhe me kontekstin shoqëror. Më pas, paneli këshillimor ndërkombëtar i EuropaNostra, i përbërë nga historianë, arkeologë, arkitektë dhe specialistë të ruajtjes se trashëgimisë, diskutojnë më pas aplikimet dhe përzgjedhin monumentet dhe vendet më të rrezikuara, përpara se bordi i EuropaNostra të vendosë për zgjedhjen përfundimtare.

Manastiri i Deçanit u emërua nga Future for Religious Heritage, një organizatë puna e së cilës bazohet mbi vleren e ‘gjithëpërfshirjes’- me fjalë të tjera, duke u konsultuar me komunitetet përkatëse, profesionistët e kësaj fushe, politikëbërësit dhe publikun e gjerë.

Në këtë rast, megjithatë, kjo organizatë nuk u konsultua me komunitetin përkatës, gjegjësisht banorët të cilët jetojnë përreth dhe pranë Manastirit të Deçanit. Për më shumë kjo organizatë nuk u konsultua as me komunitetin profesional në Kosovë, me historianë, arkeologë dhe politikëbërës vendorë. Prandaj, pyetja që shtrohet është: Si janë mbledhur, vërtetuar dhe kontrolluar provat për listimin e Manastirit të Deçanit si një ndër objektet më të rrezikuara në Evropë?

Motivacioni dhe arsyet për listimin e Manastirit të Deçanit u publikuan përmes një njoftimi për shtyp më 10 dhjetor 2020. Kështu u bë e ditur lista e ngushtë e objekteve te nominuara për programin ‘7 Më të Rrezikuarit’ që u lëshua nga EuropaNostra dhe institucione të tjera të BE. Sidoqoftë, arsyet origjinale ndryshuan pak javë para listimit zyrtar në prill, detaje të shumta ishin hequr. Nga këndvështrimi i profesionistes së trashëgimisë, kjo tregon se vendimi për të nominuar këtë objekt ishte mbështetur nga Këshilli i EuropaNostra me mungesë të kuptuarit të fakteve në disa pika kyqe.

Në dhjetor, EuropaNostra pohoi se Manastiri i Deçanit iu nënshtrua “një sulmi terrorist në tentativë nga ISIS” në vitin 2016. KFOR-i, që siguron mbrojtje 24/7 të manastirit, më konfirmoi në një takimi që u zhvillua në janar të këtij viti se nuk ka pasur asnje incident të sigurisë për disa vjet afër Manastirit, dhe sigurisht asnjë që mund t’i atribuohet ISIS-it.

Në fakt, raportet e sigurisë zbulojnë se ka pasur negociata për të larguar trupat e KFOR-it krejtësisht dhe për t’i dhënë përgjegjësinë policisë së Kosovës, e cila menaxhon me sukses objektet tjera të trashëgimisë kulturore.

Kjo tregon më tej se palët që kanë nominuar këte objekt nuk kanë bërë asnjë konsultë me autoritetet lokale ose homologët e tyre të stafit ndërkombëtar, d.m.th. me palët kyqe. Sidoqoftë, EuropaNostra kanë bërë një akuzë shumë serioze e cila nuk pasqyron realitetin në terren dhe është thjesht një e pavërtetë, duke inkurajuar kështu ndarjen etnike në emër të mbrojtjes së trashëgimisë.

I vetmi argument që mund të ketë qenë valid dhe i rëndësishëm në kohën e emërimit nga EuropaNostra është plani për të zgjeruar rrugën që lidh qytetin e Deçanit me qytetin e Plavës në Mal të Zi,  rrugë kjo që do të kishte kaluar pranë manastirit dhe do te shkelte ligjin mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura. Unë personalisht isha e përfshirë në mbështetjen e pozitës së manastirit në këtë rast dhe kërkova zbatimin e saktë të ligjeve mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura nga institucionet përkatëse në Kosovë.

Sidoqoftë, kjo mosmarrëveshje midis kishës dhe autoriteteve lokale është zgjidhur në tërësinë e saj, përmes ndërmjetësimit diplomatik nga ambasadori italian në Kosovë. Në fakt, zgjidhja diplomatike e kësaj çështje demonstron se sistemi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë funksionon, dhe është dëshmi se një kërcënimi serioz ndaj manastirit nuk ekziston.

Duket se në këtë rast, për nominimin e manastirit EuropaNostra pranoi si fakte presupozimet e vetëm një pale. Një qëndrim i tillë nuk do të shtojë besueshmërinë ndaj këtij projekti, dhe në të vërtetë nuk do të çojë përpara një dialog të mirëfilltë midis të gjitha palëve të interesuara për statusin e trashëgimisë kulturore. Prandaj, procesi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i përqendruar në promovimin dhe ruajtjen efektive të tij, në vend se të kërkojë të marrë poena politikë përmes keqinformimit.

Është e rëndësishme të thuhet këtu se Manastiri i Deçanit është tashmë objekt nën mbrojtje te veçantë. Ai përfiton nga mbrojtje ligjore të ndërkombëtarizuara, përfshirë Aneksin V të planit te Ahtisaarit, i cili u miratua nga Kosova me shpalljen e pavarësisë dhe është pjesë e Kushtetutës.

Ekzistojnë gjithashtu standarde ligjore ndërkombëtare shtesë, të tilla si ato që burojnë nga UNESCO, të cilat Kosova kërkon dhe është e gatshme t’i përmbushë, veçanërisht duke marrë parasysh përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Për më tepër, ekzistojnë dispozita shumë të gjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, përfshirë liritë fetare, dhe dispozita të specializuara për të drejtat e pakicave, që janë ndër me të avansuarat në Evropë.

Ekziston një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i cili nuk është adresuar deri më tani – Manastiri i Deçanit nuk është lehtësisht i hapur për komunitetin shqiptar të Kosovës, veçanërisht profesionistët lokalë të trashëgimisë, historianë, arkeologë dhe studentë e akademikë.

Kjo situatë qëndron e tillë perderisa, ironikisht, Manastiri renditet si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, duke mos perfillur Deklaratën e UNESCO’s të vitit 2001 mbi Diversitetin Kulturor qe përcakton të drejtën e aksesit në hapësirat e trashegimisë kulturore, pjesëmarrjen në dhe perfshirjen kolektive në jetën kulturore. Kjo gjithashtu përfshin të drejtën e individëve dhe komuniteteve për të njohur, vizituar, shfrytëzuar, mirëmbajtur, shkëmbyer dhe zhvilluar trashëgiminë kulturore.

Duke marrë parasysh faktet më sipër, është e drejtë të thuhet se Manastiri, komuniteti monastik dhe rrethinat e tij tashmë përfitojnë nga një nivel i paparë i mbrojtjes lokale dhe ndërkombëtare.

Prandaj nuk është e vërtetë që adresimi i kësaj çështje është një kërkesë për arritjen e normalizimit përmes dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç thuhet nga EuropaNostra. Çështja është zgjidhur prej kohësh nga protokollet në Planin e Ahtisaarit, në favor të Kishës Ortodokse Serbe.

Në fakt, ajo që mungon është bashkëpunimi i Kishës Ortodokse Serbe me autoritetet e Kosovës në zbatimin e plotë të këtyre dispozitave. Kohët e fundit, ati Sava ka shprehur shqetësimet e tij, dhe thekson se gjindet midis dy grupeve të nacionalistëve, atyre në Kosovë dhe atyre në Beograd, një deklaratë për New York Times.

Organizatat ndërkombëtare si EuropaNostra dhe UNESCO duhet ta marrin parasysh këtë presion, sepse është pikërisht për shkak të presionit nga autoritetet e Beogradit që bashkëpunimi midis Kishës me autoriteteve te Kosovës është ndaluar deri tani.

Ajo që shton kompleksitetin e kësaj çështje është fakti që UNESCO e trajton Kosovën sipas Rezolutës 1244. Prandaj, UNESCO ende i referohet Kosovës si pjesë e Serbisë / Ish Republikës së Jugosllavisë. Kjo i lejon Serbise të ketë ndikim diplomatik dhe politik në organizatat përkatëse, per më shumë që Serbia është një vend anëtar i UNESCO-s.  Sidoqoftë, Serbia nuk ka autoritet efektiv në territorin e Kosovës dhe nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet shtetërore të kërkuara nga UNESCO për të siguruar që ruajtja përreth, mbrojtja dhe hyrja në këto zona të trashëgimisë kulturore të përmbushen.

Ajo që aktualisht është e nevojshme është angazhimi nga të gjitha palët ndërkombëtare të shkëmbejnë me autoritetet e Kosovës për këto çështje për të arritur përfitime në favor te shoqërisë si tërësi dhe në avancimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë – ky qëllim qendron në përputhje me filozofinë e përshkruar në Ditën e Trashëgimisë Botërore nga vetë UNESCO.

(Ky shkrim fillimisht është publikuar në Prishtina Insight e më pas është përkthyer.)

Mendimet e shprehura në seksionin e opinioneve janë vetëm të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN dhe institucionit me të cilin autori është i lidhur.

Nora Weller është një avokate dhe studiuese në trashëgiminë e mizorive dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ajo është e vendosur në Universitetin e Kembrixhit.