Transportuesit në grevë, qytetarët të shqetësuar nga pamundësia e qarkullimit me autobusë

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm Shoqata e Transportit Rrugorë të Udhëtarëve ka filluar grevën dhe të gjithë autobusët e transportit ndër urban në nivel vendi, po qëndrojnë të parkuar nëpër stacione.

 

 

Qytetarët të cilët kishin plan që të udhëtojnë, janë ballafaquar me grevën, duke mos mundur të marrin shërbimin për të cilin u janë drejtuar Stacionit të Autobusëve.

Disa nga udhëtarët kanë thënë se nuk e kanë ditur për grevën dhe ka nga ata që kanë harruar se ka grevë.

Udhëtarët kanë thënë se me mos marrjen e këtij shërbimi u pamundësohet që të shkojnë në punë, shtëpi e shkollë.

Sokol Dobruna, me profesion avokat, tha se udhëton shumë shpesh shkaku i profesionit të tij. Ai tha se kishte harruar se do të ketë grevë, prandaj është drejtuar për në stacion për të shkuar në Gjakovë.

Dobruna, tha se qeveria duhet t’i plotësoj kërkesat e Shoqatës ndonëse nuk e ka vlerësuar si akt të mirë grevën.

“Ka forma të tjera por ky pushtet aktual për mua nuk është në rregull pse lejojnë kësi gjërash. Nëse ju kanë premtu duhet të veprojnë ashtu siç kanë premtu. Populli janë si fëmija kur i premton diçka ai e kërkon”, tha ai.

Edhe Agim Gashi nga komuna e Malishevës, tha se për të transporti është i domosdoshëm dhe se puna e tij varet nga transporti.

“Autobusët i paskan ndal. Unë s’kam pas dijeninë që i kanë ndal, e kjo nuk është mirë, sepse njerëzit duhet të lëvizin, duhet të jetojnë”, tha ai.

“Unë punoj dhe varem prej transportit, shkoj me transport e kthehem me transport publik. Na kanë marr në qafë, nuk është e mirë kjo gjë”, tha ai.

Edhe një studente nga komuna e Drenasit e cila nuk ka dashur të flas para kamerës tha se “në kohë pandemie ndërprerja e transportit me autobusë për nxënës dhe studentë është keq dhe shumë dëshpëruese”.

Ndërkaq, Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugorë të Udhëtarëve duke iu kërkuar falje qytetarëve, ka thënë se greva do të vazhdoj edhe nesër duke mos u ofruar shërbim qytetarëve. Ndërkaq sipas tij, priten të ashpërsohen masat me protestë.

“Në ditët e para ne do të jemi vetëm në grevë, nuk do të ofrojmë shërbim për qytetarët e masat do të ashpërsohen. Kam kërkesë nga gjitha anët e Kosovës që masat të ashpërsohen me protestë duke bërë që shumë autobus të nisen në drejtim të qeverisë dhe ta bllokojnë zyrën e kryeministrit për orë të caktuara që të sensibilizohet opinioni dhe qeveria që këto biznese janë buzë falimentimit”, tha ai.

Kurtishaj tha se sot do ta mbajnë një mbledhje urgjente për vlerësimin e kësaj proteste. Ndërkaq u ka kërkuar falje qytetarëve të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet nga ky sektor, pasi sipas tij shkaku është mos zbatimi i marrëveshjes me qeverinë.

“Këta autobus që janë këtu janë vetëm simbolikë përpara mediave që ne me tregu që jemi në grevë, ndërkaq 100 për qind është duke u zbatuar vendimi i Këshillit Drejtues të Shoqatës që janë në grevë e për protestë do të njoftoheni me kohë”, tha Kurtishaj.

Gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, përmes një komunikate për medie ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të Udhëtarëve, që sa më parë të kthejnë shërbimet për qytetarët, ndërkohë që shpreh gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa më të favorshme.

“Në vitin 2020 dhe 2021, Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare direkte dhe indirekte për të gjitha bizneset. Bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve, kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa e 50% të qirasë, pagesa e 170 eurove)”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, pandemia Covid-19 ka prekur shumë sektorë dhe është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset.

Ndërkaq, Kurtishaj ka shprehur gatishmërinë që të diskutoj me qeverisë. Por ai tha se është mirë që qeveria para se t’i ftoj në takim ta ndaj buxhetin në mënyrë që ta kenë më të lehtë bisedimin dhe realizimin e marrëveshjes.

“Ne gjithmonë jemi dhe kemi qenë të gatshëm të diskutojmë me qeverinë. Si duket qeveria nuk ka pas vullnet politik për t’ju përgjigj marrëveshjes të cilën e ka nënshkruar vet. Është dashtë që pa dëshirën tonë të futemi në grevë”, tha ai duke treguar se operatorët janë në pritje të reflektimit të qeverisë.

Ndryshe, sipas Kurtishaj mbi 2 mijë autobusë dhe 400 biznese, kanë pësuar dëme nga masat e ndërmarra për tejkalimin e Covid-19. Ndërkaq, në transportin rrugor janë të punësuar mbi 6 mijë persona.