Pika Kufitare Jarinjë | Foto: Beta

Transportuesit e grurit nuk po lejohen të futen në Serbi për të marrë grurë

Pikat kufitare serbe nuk po lejojnë transportues të ndryshëm të hynë në Serbi për të ngarkuar grurë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com Gani Aliu, transportues nga Prishtina i cili ankohet se i kanë mbetur kamionët në kufi.

Arsyetimi sipas Aliut është dokumentacioni kosovar që posedojnë dy shoferët e kamionave që do të transportojnë grurë nga Serbia në Kosovë.

“I kam dy kamiona në Jarinje në kufi me shku në Serbi me ngarku grurë, nuk po i lajnë me dalë po na thonë se i keni letërnjoftimet e Kosovës. Kemi shkuar edhe më herët në atë pjesë. Unë edhe dje i kam dërgu tre kamionë përmes Merdares dhe i kanë leju me hy me letërnjoftim të Kosovës prej sot, po thonë që kemi vendim të ri e në anën tjetër ne nuk kemi marrë ndonjë lajmërim”, tha Aliu për KALLXO.com.

Tutje ai shtoi se nuk i kanë dhënë ndonjë vendim i cili ndalon një gjë të tillë ani pse gjatë ditës së djeshme kjo rregull e dokumentacionit kosovar nuk u kishte paraqitur problem trasnsportuesve të tjerë.

“Na në kufi në fakt ata të Menaxhmentit Kufitar na thanë që është marrë vendim që Serbia nuk lejon me letërnjoftim të Kosovës me hy atje. Nuk po na japin asnjë arsyetim veç po na thonë jeni me letërnjoftim të Kosovës kthehuni mbrapa se nuk ju lejojmë me hy. Këta të Kosovës na kanë thanë që këta në Serbi nuk po lejojnë me hy në Serbi”, shtoi Aliu.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme në lidhje me problemet që kanë hasur transportues të shumtë në pikat kufitare serbe.

KALLXO.com po pret ende edhe përgjigjen e MPJ-së në lidhje me veprimet që janë ndërmarrë në këtë çështje.

KALLXO mëson se importi i grurit bëhet vetëm me shofer maunesh që kanë letërnjoftime të Serbisë