Trajtimi i pacientëve në kohë pandemie

Në debatin e BIRN të transmetuar të martën në mbrëmje, punëtorët shëndetësorë, zyrtarët publikë dhe anëtarët e shoqërisë civile debatuan rreth asaj se si sistemi shëndetësor i Kosovës ka ofruar shërbime përgjatë krizës së koronavirusit.

Pandemia COVID-19 ka paraqitur shumë sfida për sistemin e kujdesit shëndetësor publik të Kosovës. Po ashtu, sfida kishte edhe me trajtimin e numrit, ndonjëherë tepër të madh, të pacientëve me COVID, ndërkohë që spitalet e Kosovës dhe Qendrat Mjekësore Familjare gjithashtu u detyruan të vazhdojnë së ofruari shërbime ndaj  sëmundjeve tjera shoqëruese.

Shumë shpesh, institucionet shëndetësore duhej ta kishin edhe aftësinë e nevojshme. Raportimi nga BIRN i transmetuar të martën si pjesë e debatit mbi shërbimet shëndetësore gjatë pandemisë, zbuloi se si spitali rajonal në Gjilan e kishte zbutur presionin në pavijonin e tij të mbingarkuar duke angazhuar ekipe mobile të profesionistëve shëndetësorë.

Që nga korriku i vitit të kaluar, më shumë se 10,000 pacientëve në rajonin e Gjilanit u është ofruar ndihmë mjekësore në shtëpitë e tyre nga këto ekipe mobile.

Ukshin Ismajli, ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë spital tha se përkundër sfidave të përfshira në organizimin e ekipeve mobile, përfshirë detyrimin për riemërimin e disa anëtarëve të një fuqie punëtore tashmë të mbingarkuar, Spitali i Gjilanit ishte në gjendje të vazhdonte ofrimin e shërbimeve urgjente përgjatë krizës.

FOTO-Urim Krasniqi

Ismajli, në veçanti, vuri theksin tek materniteti, i cili tha se ishte gjithnjë në gatishmëri të siguronte shërbime esenciale, përfshirë operacionet urgjente. Ai shtoi se kjo iniciativë nuk kërkonte një nivel të konsiderueshëm investimi, me mbulimin e shpenzimeve të transportit vetëm, dhe gjithashtu ka ndikuar në uljen e shpenzimeve për pacientët që kërkonin shërbime mjekësore.

E ftuar së bashku me Ismajlin në debatin e BIRN, gazetarja Leonora Aliu vuri theksin tek rëndësia e uljes së kostos të kujdesit shëndetësor në Kosovë, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë e cila është në vazhdim e sipër.

“Rreth 30 përqind e qytetarëve janë të papunë dhe ata jo gjithmonë kanë qasje në institucionet shëndetësore publike dhe njëkohësisht nuk kanë mjete financiare për të marrë shërbime në institucionet private,” tha Aliu.

Ajo vuri theksin tek kostoja e marrjes së një testi D-dimer, një tregues kryesor nëse një pacient me COVID-19 po hyn në një fazë të rrezikshme të sëmundjes. Testi kushton 70 euro, shumë kjo për të cilën Aliu tha se do ta konsumonte pjesën më të madhe të pagesës bazë të pensionit mujor. “Qysh me ble ilaçe të tjera masanej?” – pyeti ajo në mënyrë retorike.

Shefi i Departamentit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, gjithashtu e përshëndeti këtë iniciativë në Gjilan. Sidoqoftë, ai tha se do të ishte e pamundur të implementohej i njëjti shërbim nga Qendrat Mjekësore Familjare të udhëhequra nga Komuna e Prishtinës për shkak të popullsisë së madhe të kryeqytetit dhe mungesës së kapaciteteve të nevojshme.

Gashi deklaroi se Qendrat Mjekësore Familjare të Prishtinës kanë vazhduar të ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor gjatë gjithë krizës, por bëri të ditur se kërkesa për shërbime kishte rënë në mënyrë drastike duke përmendur frikën nga infeksioni. “Nga një mesatare tipike prej rreth 8,000 shërbimeev të ndryshme në ditë, në vitin 2020 kjo mesatare kishte rënë në rreth 2,000,” tha ai.

Mustafa Skenderi, drejtori ekzekutiv i rrjetit televiziv në gjuhën serbe TV Mreza, tha se shërbimet mjekësore po ashtu shumë rrallë kërkoheshin nga qytetarët në veri të Kosovës.

“Kishte probleme me mungesën e barnave esenciale dhe mungesën e kapaciteteve në spitale për ti trajtuar ata me COVID-19,” tha ai. “Pacientëve shpesh u thuhej të qëndronin në shtëpitë e tyre”.

Ndërkohë, Ferdane Asllani nga OJQ Ballkan Sunflowers Kosova, tha se institucionet kishin munguar kur bëhej fjalë për ofrimin e ndihmës mjekësore apo ndihma tjera për komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.

“OJQ-të kanë shkuar derë më derë për ti informuar qytetarët se si të mbrohen nga COVID-19,” tha ajo. “Ishim ne ata që shpërndamë maska ​​dhe masa të tjera mbrojtëse për komunitetet në fjalë.”

Gjetja e një vaksine

Pjesëmarrësit në këtë debat po ashtu diskutuan lidhur me vaksinimin e vazhdueshëm kundër COVID-19 në Kosovë.

Pothuajse 24,000 dozat e vaksinës AstraZeneca që Kosova i ka marrë përmes programit COVAX në muajin mars janë administruar, ndërkohë që një kontigjent prej pak më shumë se 4,600 dozash të vaksinës Pfizer/BioNTech të pranuara nga Bashkimi Evropian filloi t’u shpërndahej punonjësve shëndetësor më 5 maj.

Deri më tani, Kosova është mbështetur plotësisht tek donacionet, pasi nuk ka arritur të sigurojë një dozë të vetme të ndonjë vaksine kundër COVID-19 drejtpërdrejt, ndërkohë që numri i qytetarëve të vaksinuar është më i ulti në rajon.

Sidoqoftë, Hana Xhemajli, studiuese e pavarur mbi çështjet e shëndetit beson se procesi i vaksinimit do të shpejtohet në gjysmën e dytë të vitit 2021. “Unë shpresoj se aleatët tanë do të na ndihmojnë,” tha ajo. “Unë jam optimist se deri në fund të vitit ne do ti vaksinojmë 60 përqind të popullsisë.”

Panelistët e tjerë, veçanërisht ata në veri të Kosovës, bënë të ditur se ata kanë gjetur mjete të tjera për t’u vaksinuar. Milica Ristoviq, infermiere vullnetare nga Leposaviqi deklaroi se ajo ishte vaksinuar në Serbi, e cila kishte një tepricë vaksinash në gjysmën e parë të vitit 2021.

“Shumë prej nesh u vaksinuan në Rashkë dhe komuna të tjera [në Serbi],” tha ajo. “Kam marrë vaksinën ruse” Sputnik “.”

Mustafa Skenderi, i cili është nga Mitrovica e Veriut ishte njëri prej atyre i cili u vaksinua përtej kufirit. “Po, unë  jam vaksinuar me vaksinën kineze dhe kam folë kinezisht gjithë ditën,” tha me humor ai, para se të inkurajonte qytetarët të kërkonin vaksinimin me çdo mënyrë të mundshme.

“Çdo vaksinë që mund ta merrni, bëjeni!” tha Skenderi. “E rekomandoj me gjithë zemër”.

Kjo seri debatesh për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).