Dy doktorë/ infermierë të pajisur me veshjet speciale për t'iu shmangur infektimit me COVID-19, Foto:KALLXO.com

Trajtimi i pacientëve me doreza të vogla ose të mëdha

Infermierja Ariana (emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë) kujdeset për reth 30 pacientë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.

Pacientët janë në oksigjenoterapi. Ariana kujdeset për ta edhe në kohën kur ka mungesë të materialit mbrojtës dhe kur numri i personelit mjekësor, të infektuar me koronavirus, është në rritje.

“Janë 31, 32 pacientë dhe për ta, për shembull gjatë një ndërrimi, duhet të kujdesen vetëm dy teknikë ose infermierë. Kjo është shumë e vështirë”, thotë Ariana për Radion Evropa e Lirë.

“Nëse ndërrimi i natës fillon të japë terapinë në orën 19:00, ajo nuk përfundon deri pas orës 2:00 të mëngjesit, derisa ka edhe raste që në vazhdimësi duhet t’iu qëndrosh pranë”, tregon Ariana.

“Dorezat janë në mungesë. Ato që i kemi ose janë numra të vegjël ose të mëdhenj dhe na pengojnë gjatë punës. Kemi [edhe] mungesë të manteleve mbrojtëse”, thotë ajo.

Për më tepër, thotë Ariana, stafi mbështetës që është zhvendosur nga klinikat e tjera në Pulmologji, nuk ka as ku t’i ndërrojë rrobat e të bëhet gati për të hyrë në klinikë.

“Ka raste kur teknikët vishen në veturat e tyre. Dhomat e mjekëve ose motrave (infermiereve) janë të mbyllura për ta”, thotë Ariana.

Për të është e pakuptueshme se si menaxhmenti i Klinikës së Pulmologjisë dhe i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është duke u kujdesur më shumë për rritjen e stafit mjekësor, sidomos në Pulmologji.

Nga Federata Sindikale e Shëndetësisë në Kosovë kanë bërë të ditur se mbi 700 punëtorë shëndetësorë janë të infektuar me koronavirus.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja në sistemin shëndetësor nuk është e mirë.

“Ju flas vetëm për raste aktive [datë 30.07. 2020 ]. Numri i të prekurve me koronavirus, në mesin e personelit mjekësor, është më shumë se 700. Këtu nuk llogariten mjekët që e kanë kaluar sëmundjen, po flas vetëm për rastet aktive”, tha Syla.

Sipas tij, nuk ka koordinim të duhur të institucioneve dhe qeverisë për ta ndryshuar gjendjen në QKUK. Ai tha se ky institucion nuk i ka më as kapacitetet e duhura e as vende për pacientë.

“Nuk kemi koordinim të mirëfilltë në mes të qeverisë dhe profesionistëve shëndetësorë. Ju po shihni se po bëhen disa komitete dhe nuk ka ndonjë rregull që përcaktohet. E kur pyesni për vështirësitë, kapacitetet janë stërmbushur. Nuk ka më vende në Infektivë, nuk ka më vende në QKUK”, tha Syla.

Të premten, QKUK-në e vizitoi kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ai e falënderoi stafin për punën që bën dhe tha se përballja me pandeminë “është mision kombëtar”.

“E di që janë lodhur, sepse tash e gjashtë muaj po përballen me këtë situatë. Unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë dhe për të dëgjuar vlerësimet e tyre për situatën nëpër të cilën po kalojmë, parashikimet për javët dhe për muajt e ardhshëm dhe përgatitjet që ne duhet t’i bëjmë në këtë drejtim. Gjendja është e rëndë”, tha Hoti.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka raportuar të enjten për 16 persona të vdekur si pasojë e koronavirusit. Me këtë shifër, më e larta brenda një dite deri më tash, numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 në Kosovë ka arritur në 212.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus deri të enjten ka qenë 8,104.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata me koronavirus në Kosovë është tejet e rënduar dhe ka pranuar se ka vështirësi serioze sa i përket riorganizimit të personelit shëndetësor.

“Nëse ky numër i madh i të infektuarve vazhdon në këtë mënyrë, do të jemi përballë sfidave shumë, shumë serioze, sa i përket qoftë shtretërve, por edhe personelit mjekësor, që do të jetë në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, autoritetet kanë qenë të përgatitura vetëm për periudhë tremujore dhe jo për përhapje të tillë të virusit.

“Edhe përkundër atyre planifikimeve, numri i rasteve është rritur jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë e pamundur që gjatë gjithë kohës, në vazhdimësi, të përcillet ky numër me të gjitha nevojat që duhen për këta pacientë – përfshirë këtu gjërat tjera”, ka thënë Krasniqi.

Tre anesteziologë e kanë lënë punën të hënën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e në vendimin e tyre thuhet të ketë ndikuar puna e rëndë gjatë kohës së pandemisë dhe pagat e ulëta.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, ndërsa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

Qeveria e Kosovës ka vendosur këtë javë që personeli mjekësor që trajton pacientët me COVID-19, në muajin gusht, përveç pagës mujore, të marrë si kompensim edhe 300 euro të tjera/REL