Trajnimet e FSK-së, gjatë vikendit do të ketë lëvizje të automjeteve ushtarake në dy fshatra të Prishtinës

Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi për qytetarët ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zhvillojë trajnime në fshatrat Butovc dhe Zllatar gjatë datave 15 dhe 17 nëntor 2024.

Sipas komunës, gjatë kësaj periudhe, do të ketë lëvizje të automjeteve ushtarake në këto fshatra.

“Ky është një trajnim i planifikuar dhe nuk ka vend për shqetësim”- thuhet në njoftimin e komunës.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), më 12.11.2024, ka përfunduar ushtrimin “Ujku i Çeliktë”, i cili sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është më i madhi i realizuar ndonjëherë nga Ushtria e Kosovës.

Në këtë ushtrim morën pjesë mbi 1 mijë ushtarë.

Për ta parë këtë ushtrim, prezentë ishin edhe dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

“Me anë të këtij ushtrimi gjithashtu është validuar regjimenti i dytë i komandës së forcave tokësore të cilët janë në gjendje të kryejnë detyra të veçanta dhe komplekse me efikasitet të lartë” – ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook.