Trajneri i Kombëtares së Kosovës paralajmëron ndeshje madhështore ndaj Çekisë

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë me filozofinë e lojës si deri më tani.

Ai në një konferencën për media në Prishtinë para ndeshjes me Çekinë tha se dëshiron fitore dhe kjo është një ndeshje e rëndësishme për Kosovë.

“Nëse e kujtoj shortin, kujtojmë ambiciet që kemi pasur atëherë, kujtojmë qëllimet që kemi pasur atëherë dhe ato ambicie ato qëllime kanë qenë që të përparojmë në zhvillimin e lojës tonë që të kemi progres që të ecim për para por jo të kemi shumë presion”, tha ai të hënën para gazetarëve.

Ai tha se nuk duhet të shihet me presion kjo ndeshje e cila është e rëndësishme për kualifikimin në Kampionatin Evropian për vitin 2020.

“Ndoshta shumë njerëz mendojnë tani se ne duhet të fitojmë patjetër dhe nëse nuk e fitojmë lojën ndaj Çekisë gjithçka ka mbaruar. Unë nuk mendoj kështu, nuk e shoh atë ndeshje në atë mënyrë nuk mendoj që ne duhet ta ndryshojmë filozofinë tonë por për ne është e rëndësishme që të luajmë mirë”, thotë ai.

“Është e rëndësishme që të luajmë lojë të madhe, e rëndësishme është që luajmë ndeshje të mrekullueshme. Nëse luajmë kështu, mbase është e mjaftueshme për të fituar. Do të kërkoj nga lojtarët që të kenë sjellje të mirë do të kërkoj nga ta që të ndjejnë kënaqësinë e të luajturit dhe të kënaqën duke luajtur mirë. Nuk duhet ta përkthejmë këtë rast ne presion por në një kënaqësi për të luajtur futboll ashtu siç e kemi bërë deri më tani”, ka thënë trajneri zviceran që drejton Kosovën.

Ai nuk ka dashur të flasë për parashikimin e tij sa i përket rezultatit ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke.

Duke komentuar rezultatin e ndeshjes, ai tha se do të ishte mirë një rezultat 1:0 për Kosovën por edhe 2:1. “Ne dëshirojmë të fitojmë”.

Në fund, ai foli edhe për problemet e lojtarëve të Kosovës sa i përket lëndimeve.

“Muriqi besoj që do të jetë i gatshëm për ndeshje. Ai më tha dje se ka pak dhimbje, por unë besoj që ai do të jetë i gatshëm. Herolind Shala ka pasur disa shqetësime. Ai do të jetë me ne e do të shohim. Leart Paçarada ka pasur pak një problem, ekipi i tij ka pasur një kërkesë mos të bëj stërvitje me ne tërë kohën por sot pasdite ai do të jetë. Tjetër problem nuk kemi në ekipë”, tha ai.

“Presioni që unë ua bëj lojtarëve nuk ka të bëjë me rezultatin por për lojën që bëjnë që të japin më të mirën prej tyre. Kjo është e rëndësishme”, deklaroi trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll.