Mirko Viceviç (i dyti nga e majta). Foto: vkcrvenazvezda.com.

Trajneri i klubit serb të vaterpolos jep dorëheqje pas incidentit të urrejtjes etnike

Trajneri i njohur Mirko Viceviç, një kroat nga Mali i Zi, dha dorëheqjen nga klubi i vaterpolos të Yllit të Kuq të Beogradit pasi tifozët e tij gjatë një ndeshje shfaqën një pankartë që ofendonte shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët.

Mirko Viceviç dha dorëheqjen si trajner i klubit të vaterpolos të Yllit të Kuq të Beogradit të mërkurën pasi tifozët në një ndeshje në kryeqytetin serb më 5 shkurt shfaqën një pankartë me sloganin “Shiptar, (term nënçmues për shqiptarët), Hrvat (kroat), Balija (term nënçmuese për një boshnjak) – ata nuk janë vëllezërit e mi”.

Viceviç, një kroat i lindur në Mal të Zi, konfirmoi dorëheqjen e tij për gazetën Vijesti me bazë në Podgoricë të enjten, por nuk pranoi të bënte ndonjë koment të mëtejshëm mbi incidentin. Ai u bë trajner i Yllit të Kuq vetëm më 18 janar, dhe kjo ishte ndeshja e tij e gjashtë me klubin.

Një video e publikuar në kanalin YouTube Delije të grupit të tifozëve të Yllit të Kuq të Beogradit tregoi gjithashtu mbështetësit që marshonin nëpër qytet para ndeshjes, duke kënduar “Ylli i Kuq, Serbi – kurrë Jugosllavi” dhe duke brohoritur emrin e shefit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, një kriminel i dënuar lufte. Më pas ata shpalosën banderolën në ndeshjen në Qendrën Sportive 25 Maji.

Drejtori i klubit të vaterpolos të Yllit të Kuq, Igor Milojeviç tha në një deklaratë të martën se klubi “mbart përgjegjësinë më të madhe për klubin dhe tifozët që shfaqen në media për çështje që nuk kanë të bëjnë me sportin”.

“Në emër të klubit dhe në emrin tim, i kërkoj publikisht falje anëtarit të klubit Mirko Viceviç, kolegut dhe mikut tim të klubit, si dhe gjithë publikut sportiv”, tha Milojeviç.

Federata Serbe e Vaterpolos e dënoi incidentin dhe njoftoi se do të fillojë procedura disiplinore kundër personave përgjegjës.

Prokuroria e Lartë e Beogradit tha në një deklaratë se prokurori i saj në detyrë konsideroi se “veprimet e pjesëmarrësve në incident nuk përfshinin elemente të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, por se pankarta “mund të jetë shkelje e Ligji për Rendin dhe Paqen publike”.

Viceviç, i cili ka lindur në vitin 1968, ishte një vaterpolist shumë i suksesshëm i epokës jugosllave dhe një anëtar i ekipit kombëtar që fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike Verore 1988.

Në vitin 2020, Viceviç u bë anëtar i International Swimming Hall of Fame.