Trajkoviq njofton se gjendja e saj është stabile dhe se është lëshuar nga spitali

Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Komunitete për Kthim, Nenad Rashiq, ka njoftuar se gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dhe është lëshuar nga spitali.

“Përshëndetje, njerëz të mirë. Mëngjesin e sotëm në orën 06:00 dola nga spitali për mjekim në shtëpi. Gjendja ime është e qëndrueshme. Faleminderit secilit prej jush që luftuat për mua. Kjo më bëri më të fortë. Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën për torturën” – ka shkruar Trajkoviq në Twitter.

Dje, vajza e Rada Trajkoviqit, kishte njoftuar se asaj i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore përderisa gjendej në ndalim në pikën kufitare në Merdarë. E njëjta ishte dërguar me ambulancë në Spital në Prokuple.

“Mami sapo është transferuar me ambulancë në Prokuple, pasi shëndeti i saj është përkeqësuar papritur. Ekzaminimi tregon shenja të hershme të pneumonisë. Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj dhe do t’ju mbajmë të përditësuar për statusin e saj”- thuhej në postimin e vajzës së saj.

Më 15 dhjetor 2022, Trajkoviq ka thënë se është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nga Policia serbe. Sipas saj, dokumentet i janë marrë dhe nuk i lejohej të hyjë në Kosovë.

Më 16 dhjetor, vet ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, foli në konferencë për media dhe kërkoi nga ekzekutivi kosovar që t’i shkruajë vendeve të QUINT-it për lirimin e këshilltares së tij, Rada Trajkoviq.