Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Kosova

Trajkoviq: Marrëveshja e sotme për targat, defakto është e njëjta si ajo e 2016-ës

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane për Serbët nga Kosova, Rada Trajkoviq ka thënë se marrëveshja për targat e nënshkruar sot në Bruksel është de- fakto ajo e vitit 2016.

Sipas saj, kriza më shumë se 10 ditore në veri ka shërbyer si praktikë e dobishme për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Marrëveshja e sotme është de fakto marrëveshja Tahiri-Gjuriq e vitit 2016, e cila parashikonte përdorimin e afisheve për të mbuluar simbolet përkatëse shtetërore në targa (të frymëzuara nga marrëveshja e vjetër Greqi- Maqedoni e Veriut). Kriza e fundit shërbeu vetëm si taktikë e dobishme për të siguruar zbatimin e saj”, ka shkruar ajo në Twitter.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat.

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Që nga 20 shtatori në Jarinjë dhe Bërnjak janë duke protestuar qytetarët serb të cilët kanë vendosur edhe tenda aty. Për siguri është duke u përkujdesur njësia speciale e Kosovës, ndërsa KFOR ka shtuar patrullimet në këto pikë.

Qytetarët serb, kanë kundërshtuar vendimin qeverisë së Kosovës sipas të cilit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Shoferët të cilët kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Çështja e targave ishte e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri më 14 shtator të këtij viti, kur edhe ka skaduar kjo marrëveshje.