Trajektorja e luftës në Ukrainë e varur nga zgjedhjet amerikane

Nuk ka asnjë fije dyshimi se zgjedhjet amerikane do të përcaktojnë trajektoren e luftës në Ukrainë, vlerëson agjencia amerikane e lajmeve, AP, në një analizë të publikuar më 28.10.2024.

Statusi i ndihmës ushtarake nga mbështetësi kryesor ndërkombëtar i Kievit varet kryekëput nga kandidati që i fiton zgjedhjet, sikur se edhe prospekti për një ujdi armëpushimi që do të mund t’i shkonte për shtat Ukrainës.

Shumëkush në Kiev thotë se ekzistenca e vendit lidhet krejtësisht me presidentin e ardhshëm që do të jetë i zoti i Shtëpisë së Bardhë pas zgjedhjeve të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Derisa amerikanët po votojnë, ushtarët e rraskapitur ukrainas që po përballen me armik me numër më të madh ushtarësh në beteja , mezi po i mbajnë vijat defensive të frontit nga zjarri rus, duke e ditur se rezultatet zgjedhore amerikane do të diktojnë të ardhmen e tyre.

Pikëpamje krejtësisht të ndryshme

Lufta në Ukrainë është një prej çështjeve më përçarëse të zgjedhjeve të 5 nëntorit për të zotin e ri të Shtëpisë së Bardhë: ish-presidenti Donald Trump, kandidat republikan, dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris, kandidate demokrate, bëjnë fushatë me pikëpamje krejtësisht të ndryshme sesi Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë më shumë përkrahje për Ukrainën.

Pas një turi të stuhishëm perëndimor, udhëheqësit e Kievit janë përpjekur të promovojnë versionin e tyre të asaj që presidenti Volodymyr Zelenskyy e quan “planin e tij të fitores”. Ata shpresojnë se vendimet kryesore do të merren parasysh – përfshirë ofertën e Ukrainës për anëtarësim në NATO – nga administrata e re e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne besojmë se pavarësisht nga mbiemri i presidentit të ardhshëm amerikan, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga dominimi global, lidershipi global si i tillë. Dhe kjo është e mundur vetëm përmes mbështetjes Ukrainës dhe prej humbjes së Federatës Ruse”, ka theksuar Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zelenskyyt.

Harris, e cila ka denoncuar “brutalitetin” e presidentit Vladimir Putin, ka të ngjarë të vazhdojë politikën e mbështetjes të presidentit Joe Biden, megjithëse brenda kufijve të rreptë të aftësisë së Ukrainës për të goditur thellë brenda territorit rus që kanë frustruar liderët e Kievit.

Trumpi ka kontestuar vazhdimisht ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, ka bërë premtime të paqarta për t’i dhënë fund luftës dhe ka lavdëruar Putinin. Ai gjithashtu konsiderohet shumë i paparashikueshëm.

Ukrainasit në ethe

Disa zyrtarë ukrainas madje e mirëpresin privatisht këtë cilësi, duke thënë se mund të sjellë rezultate më shpejt. Por njëherësh nuk dihet se çfarë vendimesh do të merrte Trumpi president.

Agjencia amerikane, AP, vlerëson në fund se planet e Zelenskyyt u zhvilluan duke pasur parasysh realitetin në terren. Kjo është arsyeja pse ekipi i tij këmbëngul se Rusia duhet të detyrohet të flasë në vend që të bindet për t’iu përvjelë negociatave diplomatike. Pa armë bërthamore që të shërbejnë si pengesë, anëtarësimi i Ukrainës në NATO është alternativa e vetme logjike, shkruan AP-ja.

“Unë thashë: Ne nuk kemi armë bërthamore, nuk jemi në NATO dhe nuk do të jemi në NATO gjatë luftës. Kjo është arsyeja pse më duhet kjo pako. Dhe ju nuk mund të jeni kundër”, ka deklaruar Zelenskyy, duke përshkruar argumentin e tij para gazetarëve, derisa vazhdon të kërkojë ndihmën ushtarake perëndimore për ta jetësuar “planin e tij të fitores”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com