Trainkos; Fotografi: REL

“Trainkos” Sh.A shkeli të drejtat e punëtorëve, nuk u pagoi kontributet penisonale

Qindra mijëra euro, janë detyrime në emër të kontributeve pensionale dhe të tatimit në paga, që Ndërmarrja Publike Hekurudha e Kosovës Trainkos Sh.A, nuk i kishte paguar për punëtorët e saj. Kjo gjetje nga Zyra Kombëtare e Auditimit [ZKA], ishte vlerësuar edhe si shkelje e të drejtave të punëtorëve.

“Ndërmarrja në pasqyrat financiare, kishte prezantuar obligime ndaj kontributeve pensionale në vlerë 272,440 për periudhën dhjetor 2020 deri gusht 2022), dhe obligime ndaj tatimit në paga në vlerë 238,040 euro (për periudhën prill 2020 deri gusht 2022), obligimet e tilla ndërmarrja nuk i kishte paguar sipas afateve ligjore ”, thuhet në gjetjet e  raportit.

Tutje sipas raportit bëhet e ditur se nga shpjegimet e menaxhmentit, mos pagesa e tyre kishte ardhur si rezultat e vështirësive financiare të ndërmarrjes.

Mirëpo mospagesa e detyrimeve tatimore ndaj pagave dhe kontributeve pensionale, rritë rrezikun që të aplikohen ndëshkime nga autoritetet tatimore për mos pagesë të obligimeve në afatin kohor, gjithashtu ndikon edhe në dispozitat kursimore në Trustin Pensional të Kosovës  pagesën e pensioneve më të vogla për punëtorët kur pensionohen, çka përbën shkelje ligjore të të drejtave të punëtorëve.

Sipas Ligjit nr.05/L-028 për tatimin në të ardhurat personale, kërkohet që secili punëdhënës, është përgjegjës të mbaj, në burim tatimin në pagat e tatueshme të paguar të punëtorëve të tij, dorëzon pasqyrën e tatimit të mbajtur në burim dhe e transferon shumën e tatimit të mbajtur në burim në llogarinë e caktuar të ATK-së brenda 15 ditëve pas ditës së fundit, të secilit muaj kalendarik, në përputhje më aktin nënligjor të lëshuar nga Ministri.

Po ashtu, Ligji nr.04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, kërkohet që punëdhënësi të zbret kontributin pensional të punonjësve nga rrogat e punonjësve dhe të bartë në llogari e posaqme, të fondi bashkë me kontributin e punëdhënësit në afatin e duhur në përputhje me rregullat që do të nxirren mënyrën që e caktoi Administrata Tatimore e Kosovës [ATK].

Nga menaxhmenti janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 10 maj 2023 nga Kryesuesi i Bordit të Ndërmarrjes Publike Hekurudha e Kosovës Trainkos Sh.A,  Riza Spanca,  konfirmohet se e ka pranuar draft/raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit “Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore të Ndërmarrjes Publike Hekurudha e Kosovës Trainkos Sh.A, për vitin 2022”.