Tragjedia në Velipojë, arrestohen 2 të dyshuar, 3 të tjerë shpallen në kërkim

Në lidhje me rastin tragjik që ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Velipojë, ku katër persona janë vrarë e dy janë plagosur, Policia e Shtetit ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, me ç’rast bazuar në provat e grumbulluara ka arrestuar në flagrancë shtetasit: H. V., 54 vjeç, si dhe nipi i tij E. D., 17 vjeç.

Të dyshuarit janë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Ata po dyshohen për veprat penale – vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave dhe -prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit, në bashkëpunim.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A.V., Sh.V. dhe B.V., vëllezër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale -vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave dhe -prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit, në bashkëpunim.

Policia e Shtetit njofton se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.