Tragjedia në Gjilan, polices i ishte marrë revolja, paqartësi si e rimori në stacionin policor

KALLXO.com ka siguruar informacione të reja rreth ngjarjes tragjike që ka ndodhur sot në Gjilan, ku janë gjetur të vrarë 5 persona – të gjithë anëtarë të një familjeje.

Në këtë rast dyshohet se zyrtarja policore Valdete Bllaca ka vrarë prindërit dhe dy vëllezërit dhe pastaj edhe ka bërë vetëvrasje.

KALLXO.com merr vesh se vrasja e pesëfishtë dyshohet se është kryer me armën zyrtare të polices.

Por, burimet thonë se asaj kohë më parë i ishte marrë arma me rekomandim të Departamentit të Shëndetësisë pas disa problemeve shëndetësore të polices.

Pas marrjes, arma është dashur të ruhej në kasafortë në stacionin policor.

Për të hapur një kasafortë të tillë duhet një kod dhe një çelës i veçantë.

Gjithashtu, KALLXO.com mëson se zyrtarja policore ka pasur rekomandim të punojë si staf civil.

Ende është e paqartë se si ka arritur që zyrtarja policore ta nxjerrë armën nga stacioni policor pasi që e njëjta punonte si staf civil dhe këta të fundit nuk kanë në përdorim armë.

Në bazë të procedurave policore arma e cila merret nga një zyrtar policor për arsye të ndryshme mbahet në Polici nën mbrojtje.

Lidhur me çështjen e armës sot pasdite është mbajtur një mbledhje në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës, të Prokurorisë dhe të Policisë.

Një përmbledhje të gjithë asaj që ndodhi sot në Gjilan mund ta gjeni në këtë link.

Pak minuta më parë, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se lidhur me rastin tragjik ka rekomanduar suspendimin e komandës së Policisë së Gjilanit.

Tragjedia në Gjilan, suspendime masive në Polici

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!