
Foto: Presidenca e Kosovës
Tragjedia në Gjakovë, presidentja Osmani shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre personave të mitur, të cilët mbrëmë vdiqën tragjikisht në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se në këtë moment të rëndë, ndanë me familjet dhimbjen për vdekjet tragjike.
“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër” – ka shkruar Osmani.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar që sa më shpejtë të ketë hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit.
Tre persona të mitur kanë gjetur vdekjen dje me 01.02.2025 në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, pasi që pllaka e një shtëpie të pabanuar, ku ishin duke qëndruar, është shembur.
Drejtori i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta ka thënë se rreth orës 23:00, të datës 01.02.2025 janë informuar nga bashkëfshatarët për gjetjen e një trupi të pajetë brenda një shtëpie.
“Të njëjtit kanë njoftuar se fëmija nuk ka qenë vetëm aty, e kanë parë edhe me fëmijë të tjerë dhe kur kanë arritur edhe ekipet e Policisë, emergjenca kanë arritur t’i gjejnë edhe dy trupa të dy fëmijëve të tjerë. Deri më tani i kemi tre trupa të pajetë, janë të tre fëmijëve”- tha Graishta.