
Foto: Eman Rrahmani, Facebook
Tragjedia në Gjakovë, Koalicioni për Familjen anulon aktivitetet e fushatës për sot
Koalicioni për Familjen ka njoftuar se i ka anuluar të gjitha aktivitetet e fushatës zgjedhore për sot (02.02.2025).
Kjo për shkak të rastit tragjik që ndodhi dje, më 01.02.2025, në Jabllanicë të Gjakovës, ku si pasojë e shembjes së një objekti, vdiqën tre të mitur.
Udhëheqësi i Koalicionit për Familjen, Eman Rrahmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Shprehim ngushëllimet më të thella për familjet Mehmeti, Rama dhe Morina me rastin e ndërrimit tragjik të jetëve të djemve tanë e të tyre duke e lutur Zotin e Madhërishëm që t’ua shton durimin dhe besimin, të merr në ngrohtësinë e tij shpirtrat e të rinjve dhe të zbutë me mëshirën e tij dhembjen e pamatshme të gjithë Kosovës e Shqiptarisë. Njoftojmë opinionin që me rastin e kësaj ngjarje të rëndë e tragjike me përmasa kombëtare kemi anuluar të gjitha aktivitetet parazgjedhore për ditën e sotme.”- ka thënë ai.
Prokuroria Themelore në Gjakovë përmes një komunikate për media ka thënë se është duke punuar për zbardhjen e rastit tragjik.
Vdekja tragjike e tre të miturve në Gjakovë, Prokuroria thotë se po punon për zbardhjen e rastit
Tre persona të mitur kanë gjetur vdekjen dje, më 01.02.2025, në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, pasi që pllaka e një shtëpie të pabanuar, ku ishin duke qëndruar, është shembur.
Drejtori i Policisë për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë se rreth orës 23:00 të datës 01.02.2025 janë informuar nga banorët për gjetjen e një trupi të pajetë brenda një shtëpie.
“Të njëjtit kanë njoftuar se fëmija nuk ka qenë vetëm aty, e kanë parë edhe me fëmijë të tjerë dhe kur kanë arritur edhe ekipet e Policisë, emergjenca kanë arritur t’i gjejnë edhe dy trupa të dy fëmijëve të tjerë. Deri më tani i kemi tre trupa të pajetë, janë të tre fëmijëve”- tha Graishta.
Ndërsa, fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.
Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.