
Foto: KALLXO.com
Tragjedia në Gjakovë, Avokati i Popullit kërkon hetim të plotë dhe parandalim të ngjarjeve të tilla
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur keqardhje të thellë për vdekjen tragjike të trë të miturve më 01.02.2025, si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Qelaj ka bërë thirrje për hetime të menjëhershme dhe marrjen e masave të nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Është e domosdoshme që të punohet në parandalim që tragjedi të tilla të mos përsëriten. Siguria e qytetarëve, dhe sidomos e fëmijëve, duhet të jetë prioritet absolut. Në këtë moment dhimbjeje solidarizohemi me ta dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave”- thuhet në reagim.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka thënë se është duke punuar për zbardhjen e rastit tragjik, ku dje me 01.02.2024 vdiqën tre persona të mitur, si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria e Gjakovës ka thënë se mbrëmë është informuar nga Policia e Kosovës për shembjen e objektit dhe për vdekjen e tre personave.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori, prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe ekipi mjekësor që ka konfirmuar vdekjen e fëmijëve” – thuhet në njoftim.