Cetinje, Foto: Vijesti

Tragjedia në Cetinjë, sulmuesi u vra nga një bashkëqytetar

34 vjeçari i cili qëlloi për vdekje 11 persona sot në Cetinje të Malit të Zi, është vrarë nga një bashkëqytetar, raporton Vijesti.

Prokurorja kujdestare, Andrijana Nastiq, ka njoftuar pas përfundimit të hetimeve se në vendin e ngjarjes kanë gjetur 9 persona të vdekur në vend, ndërsa nga Qendra Klinike kanë marrë informacione se dy persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Drejtori i Administratës Policore, Zoran Bërxhanin, ka bërë të ditur se sulmuesi ka qëlluar në një familje, anëtarët e së cilës kanë qenë duke qëndruar në ambientet e shtëpisë së tij si qiramarrës në vendbanimin Medovina.

“Ai, me atë rast, duke përdorur armën e zjarrit, pushkë gjuetie, ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri 8 vjeç dhe tjetri 11 vjeç, më pas ka plagosur nënën e tyre, e cila iu nënshtrua plagëve të marra në një institucion mjekësor. Më pas ai ka dalë jashtë dhe me të njëjtën armë zjarri, ka qëlluar banorët e këtij vendbanimi, me ç’rast ka marrë jetën edhe shtatë personave të tjerë dhe ka plagosur gjashtë”, ka thënë Bërxhanin.

Të shtënat kanë ndodhur pak pas orës 16:00.