Autobuset e Trafikut Urban foto Facebook Komuna e Prishtines

Trafiku Urban, synon blerjen e 30 autobusëve, në mesin e tyre edhe elektrik

Ndërmarrja publike lokale ‘Trafiku Urban’ ka në plan të blejë edhe 30 autobusë të tjerë, në mesin e tyre edhe autobusë elektrik.

Kështu është thënë në mbledhjen e Kuvendit të Komunës, ku Adrian Berisha, asamblist nga radhët e Partië Socialdemokrate (PSD) dhe në cilësinë e aksionarit të Komunës në këtë ndërmarrje, tha se Trafiku Urban është në diskutim me Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) për blerjen e 30 autobusëve të tjerë që në total do bëheshin 80 të tillë në menaxhim të ndërmarrjes.

“Jemi në negocim me BERZH që të blejmë rreth tridhjetë (30) autobusë të rinj, ku do të mundohemi që të kemi një numër sa më të madh të autobusëve elektrik”, ka thënë Berisha.

Trafiku Urban operon me shtatë linja, kurse temë në këtë mbledhje ishte edhe shtimi i këtyre linjave, por që sipas Berishës deri tani nuk ka autobusë të mjaftueshëm për mbulim të gjitha lagjeve periferike.

“Me BERZH-in e kemi analizuar këtë dhe për momentin nuk ka autobusë për t’i mbuluar të gjitha kërkesat. Në një periudhë të shkurtër kemi synim të rrisim numrin e autobusëve në 160, ku 80 do jenë në menaxhim nga NPL ‘Trafiku Urban’ dhe 80 të tjerë nga operatorë privatë”, tha tutje Berisha.

Temë e nxehtë diskutimi në këtë mbledhje u bë çështja e ngritur nga asambleistja e pavarur, Fiknete Bejta e cila kërkoi që të zgjatej linja e 15-të e Trafikut Urban deri në Mutivodë, por nuk kaloi si propozim pasi nuk u votua nga shumica.