Ilustrim: Policia shqiptare gjatë operacionit për arrestimin e të dyshuarve, Foto: VoA
Trafikim i migrantëve të paligjshëm, 32 të arrestuar në Shqipëri
Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme dhe Policia njoftuan sot arrestimin e 32 personave, mes të cilëve dhe një oficer policie, pjestarë të disa grupeve kriminale të cilat merreshin me kalimin e paligjshëm të personave drejt Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës. Për 26 të dyshuar është dhënë masa e arrestit me burg ndërsa për 6 të tjera ajo e arrestit në shtëpi. Pesë persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Hetimet për këtë rast kanë nisur që dy vjet më parë, së bashku me autoritetet spanjolle, të cilat arrestuan 35 persona të tjerë. Ndërkohë që operacioni për arrestimin e të dyshuarve është koordinuar dhe me zyrën e sigurisë së ambasadës amerikane në Tiranë, si dhe autoritetet e drejtësisë në Kosovë dhe Itali. Të paktën 500 forca policie u angazhuan në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rumbullaku shpjegoi se “subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke. Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë. Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante”.
Nga hetimet ka rezultuar se migrantët largoheshin nga Shqipëria duke përdorur pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”. Kur mbërrinin në Spanjë, atyre u dërgoheshin me postë dokumentat e flasifikuar, në hotelet ose në adresat rezidenciale ku qëndronin.
Nga ana e saj Prokuroria e Posaçme shpjegoi se grupet kriminale mbulonin të gjithë znxhirin e hapave që do duhej të ndiqeshin deri në mbërritjen e migrantëve në destinacion, që nga “prodhimi i dokumentave te falsifikuara të identifikimit, te gjetja apo ndërmjetësimi i shtetasve shqiptarë që kërkonin për të udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar, transporti i personave si dhe i dokumentave të falsifikuara kryesisht në shtetin e Spanjës, akomodimi dhe udhëzimi i tyre mbi itinerarin që do ndiqnin, i realizuar nga dy agjensi udhëtimi deri në vëzhgimin në aeroport të tyre për t’u siguruar nëse ata arrestoheshin apo arrinin të largoheshin për në Mbretërinë e Bashkuar”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme “në këtë veprimtari kriminale personat nën hetim sigurojnë proceset e ndryshme të saj, njohin njëri-tjetrin, dhe dinë për rolin e secilit prej tyre, rrethana të cilat të tregojnë se veprimtaria është e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me detyra dhe role të caktuar, qëllimi i së cilës është përftimi material”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banese “janë sekuestruar 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatuar për falsifikim të dokumentave, kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta monedha virtuale – BITCOIN, sasi lëndësh narkotike e dokumenta të tjera me rëndësi për hetimin”, bëri të ditur Prokuroria e Posaçme./VoA