Totaj përballë projekteve të promovuara në rrjetet sociale dhe moskryerjes së punëve në terren 

Fotografi, video- incizime, përurime, ndërtime të shkollave, renovime të objekteve të ndryshme shëndetësore e kulturore, janë disa prej materialeve të cilat përshkojnë rrjetet sociale të kryetarëve të komunave në Kosovë, megjithëse në këto postime nuk mungojnë as lëvdatat dhe kritikat. 

Ekipi i KALLXO.com në Prizren zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar nga kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj, e që thirreshin si projekte të përfunduara, për sa kohë që në terren u vërtetua fakti se në këto projekte ende ka punë për t’u kryer. 

1 korrik të vitit 2024, Totaj, në rrjetin e tij social në Facebook kishte publikuar një video-material në të cilin promovonte investimet në një aks rrugor nga Qafa e Kushninit deri te Stanet e Struzhës. 

“U asfaltua rruga nga Qafa e Kushninit deri në Stanet e Struzhës, një aks i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të bukur malore të Komunës së Prizrenit”- thuhej në materialin që Totaj kishte shpërndarë me ndjekësit e tij në Facebook. 

Ekipi i KALLXO.com në terren gjeti fakte të tjera për këtë rrugë. Ndonëse rruga ishte e asfaltuar, ende nuk kishte përfunduar. Pamjet që u shfaqën në Debatin për Prizrenin, tregonin se anësoret e kësaj rruge nuk ishin të ndërtuara të gjitha sipas standardit, kjo për faktin se disa anësore mungonin e disa nuk ishin të vendosura në mënyrë të barabartë. 

Një tjetër fakt ishte se pusetat përgjatë kësaj rruge ende ishin të hapura, pra të papërfunduara, si dhe mungonte ndriçimi dhe sinjalizimi vertikal e horizontal. 

Celë Lamaj, Drejtor i Shërbimeve Publike mori fjalën për të arsyetuar postimin në të cilin Totaj promovoi përfundimin e aksit rrugor. 

“Të dy projektet që i prezentuat, edhe parku edhe rruga, janë projekte ende të papërfunduara. Parku do të finalizohet me 15 tetor. Janë mbetë pjesët finale dhe normalisht cdo kontratë që është e lidhur me Komunën e Prizrenit, ka edhe garancione”- tha drejtori Lamaj. 

“Rruga ende nuk ka pranim teknik, ende nuk ka përfundu edhe pak ndriçimi, dilet komisioni, bën pranimin teknik. Nëse nuk bëhet pranimi teknik i jepen vërejtje operatorit dhe duhet me pru në gjendjen e projektit që u kërku nga komuna”- tha drejtori Lamaj. 

Ai u arsyetua se projektet që promovohen në rrjete sociale janë projekte që janë duke u punuar në vazhdimësi.

Edhe kryetari Totaj pati një përgjigje për këtë. 

“E kemi pas një rast kur rruga nuk është kry si duhet. Janë bërë kontrollimet teknike, janë marrë mostrat, është kërku me u punu mirë rruga dhe ka raste kur kemi ndërpre kontratat për shkak të punëve që nuk janë kryer si duhet”- tha Totaj. 

E drejtori i shërbimeve publike tha se për çështje të punimeve jo të mira në terren të kryera nga kompanitë janë ndërprerë 6 kontrata të punës. 

Një tjetër projekt i cili u tha se kishte përfunduar ishte ai në fshatin Zym në Prizren. Postimi i datës 19 gusht 2024, në facebook-un e kryetarit Totaj thuhej:“Janë përmbyllur me sukses punimet në Shtëpinë e Kulturës në Zym të Hasit – projekt i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që tashmë ofron hapësira të reja për aktivitetet kulturore dhe sociale të komunitetit”. 

E kur ekipi i KALLXO.com shkoi në Zym, Qendra e Kulturës ishte e mbyllur dhe e papastruar- pra nuk ishte funksionalizuar. 

Adem Morina, Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se hapja e kësaj qendre do të bëhet në muajin tetor. 

“Fatmirësisht të gjitha punimet kanë përfunduar në këtë Shtëpi të Kulturës. Po më vjen keq që s’e keni gjendjen e mëparshme të këtij objekti. Ka përfunduar objekti thuaja tërësisht, ndërsa pjesa e inaugurimit do të jetë më 26 tetor. Me datë 26 tetor bëhet edhe inaugurimi, dhe do të mbahen edhe takimet, është kthy në një objekt të kulturës e gjithashtu është edhe bibloteka”- shtoi Morina. 

Një tjetër material i publikuar nga Shaqir Totaj ishte edhe renovimi i parkut te ish- Pazari i Bulmetit që gjindet te rruga “Mbretëreshë Teutë” në Prizren.

“Rregullimi i parkut te ish Pazari i Bulmetit në Prizren ka qenë i domosdoshëm për ta rigjallëruar këtë hapësirë të gjelbër në qendër të qytetit, që me dinamikën aktuale të punëve, do të jetë në dispozicion për qytetarët së shpejti”- thuhej në postimin e Totajt më 15 korrik 2024

E në terren KALLXO.com shkoi më 11 shtator dhe aty pa që ende punimet nuk kishin përfunduar. 

Njëri nga banorët tha se punimet kishin nisur tash e katër muaj dhe ende nuk ishin finalizuar.