Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Totaj: Kallëzimi penal i MKRS në lidhje me “Kompleksin e Sarajit të Vjetër” është për efekte elektorale
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka hedhur poshtë pretendimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, se autoritetet komunale janë fajtore për rrëzimin e “Kompleksit Saraji i Vjetër” në Prizren.
Gjatë një konference për media të mbajtur sot, më 26.08.2024, kryetari Totaj, tha se kallëzimi penal i bërë nga MKRS ndaj tij dhe disa zyrtarëve të kësaj komune, si përgjegjës për rrënimin e këtij kompleksi është për konsum elektoral, pasi siç ka thënë ai, tashmë është caktuar edhe data e zgjedhjeve.
Më 21.08.2024, gjatë një konferncë për media, ministri Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se MKRS ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prizren ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkëpunëtoren profesionale të po kësaj komune dhe drejtorisë përkatëse; drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe pronarit privat – investitorit, lidhur me rrënimin e “Kompleksit Saraji i Vjetër”.
Kryetari Totaj gjatë konferncës ka thënë se dhënia e lejes për ndërtim në “Kompleksin Saraji i Vjetër” ka filluar tek pasi Komuna e Prizrenit e ka humbur rastin në gjykatë lidhur me kërkesën për ndërtim nga investitori dhe mos përgjigjen me kohë nga ana e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (Prizren) lidhur me dhënien e pëlqimit për ndërtim.
“Komuna pasi e ka humb rastin ka filluar me procedurën e dhënies së lejes. MKRS çuditërisht ka tentuar që lokacionin ta vendos nën mbrojtje (të përhershme) të trashëgimisë kulturore dhe historike. Ky tentim ka qenë i kundërligjshëm, sepse ka filluar të ndodhë gjatë procedurës së dhënies së lejes. Po ashtu, nuk lejohet vendosja nën mbrojtje e një objekti pa e bërë valorizimin dhe pa e njoftuar Komunën. Ne nuk kemi pasur asnjë njoftim se një gjë e tillë ka ndodhur. Për më tepër në Librat Kadastrale, as në nivel qendror e as në nivel lokal nuk është e regjistruar si zonë e mbrojtur, pasi si aset e trashëgimisë kulturore, fare nuk është zonë e mbrojtur historike”- tha Totaj.
Sipas tij, në konferencë për media të ministrit Çekut janë dhënë disa të pavërteta, sikurse deklarimi i ministrisë se Prokuroria Themelore në Prizren ka lëshuar masë të përkohshme për ndalim të punimeve, pasi siç tha Totaj, këtë kompetencë e ka vetëm Gjykata. Ai tha se MKRS nuk ka iniciuar asnjë kërkesë në Gjykatë për anulim të lejes e as për masë të përkohshme.
“Të gjitha janë thënë në konferencë (e MKRS-së, 21.08.2024) për media dhe Kallëzimi Penal ndaj meje që nuk kam qenë i ndërlidhur direkt në atë, tregon për konsumin elektoral. Mendoj se është një qasje tepër jo korrekte. Dështimet e MKRS për t’i kryer detyra e saj nuk duhet të tentohet t’i vishën as Komunës as Ministrisë së Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”- tha Totaj, duke shpalosur edhe dokumentet, që sipas tij, tregojnë ecurinë e dhënies së lejes për rrënimin e “Kompleksit Saraji i Vjetër” në Prizren.
“Kompleksi i Sarajit të Vjetër ‘ në Prizren, më 11.03.2024, është futur në Listën e mbrojtjes së përhershme të Trashëgimisë Kulturore.
“Kompleksi i Sarajit të Vjetër” në Prizrën, është rrënuar më 27 maj 2024 nga ku kanë mbetur vetëm rrënojat e objekteve të kompleksit.
“Kompleksi Saraji i Vjetër” në Prizren konsiderohet një nga hapësirat me vlera historike ku ruhen gjurmë dhe objekte nga shekulli i 19-të dhe 20-të, duke filluar nga ndërtesat e Periudhës Osmane, sikurse ndërtesat e Burgut, Kazermës e postës, për të vazhduar me ndërtesat periudhës moderne.