Top-deklarata e Vjosa Osmanit rreth çështjes së shkëmbimit të territoreve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, njëherazi nënkryetare e LDK-së, ka thënë se i beson të dërguarit të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se nuk ka marrëveshje sekrete për shkëmbim territoresh.

“Unë i besoj z. Grenell sepse edhe në takimet e mëhershme me të ai ka thënë se nuk ka ndonjë agjendë të fshehur për ndryshim të kufijve”, tha Osmani sonte në KTV.

Por, ajo ka shtuar se nuk i ka harruar deklaratat e presidentit Hashm Thaçi dy vite më parë rreth “korrigjimit të kufirit”.

“Unë nuk mund të pretendoj se kam pësuar amnezi dhe kam harruar çfarë ka thënë presidenti para dy vitesh. Ai fliste hapur për korrigjim të kufirit. Por ne e dinim se kur hapet ‘Kutia e Pandorës’ kufiri përfundon te ura e Ibrit”, theksoi ajo.

Osmani shtoi se rreziku për territore ekziston përderisa në krye të negciatave janë presidentit Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri tash në detyrë, Albin Kurti në seancën e Kuvendit me 25 mars ka thënë se është i bindur se ka një marrëveshje tashmë të gatshme mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të servohet nga Thaçi e Vuçiq.

Por një gjë të tillë e ka mohuar  presidenti, edhe emisari Grenell duke thënë se ai nuk e ka negociuar shkëmbimin e territoreve dhe se nuk ka parë një marrëveshje të tillë.