Tony Blair do ta vizitojë Kosovën, pritet t'u drejtohet deputetëve në seancë solemne

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 06.06.2024, do të mbajë mbledhje gjatë së cilës pritet të caktohet seanca solemne për adresimin e ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s, më 1999, Blair ka qenë kryeministër i Britanisë së Madhe.

Ai, bashkë me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës në atë kohë.

Përveç caktimit të seancës solemne për Blair-in, Kryesia do të shqyrtoj edhe futjen në agjend të seancës plenare e cila është shtyrë më 24 maj 2024, e që në rend të ditës e kishte shqyrtimin e Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

Gjithashtu në rend të ditës është pika e papërfunduar nga seanca e jashtëzakonshme e mbajtur më 28 mars 2024, në lidhje me votimin  për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

Sidoqoftë, ende nuk dihet nëse së shpejti do të përfundoj rinovimi në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, pasiqë në të po punohet në mikrofona dhe në sistemin e votimit.

Pika e katërt e rendit të ditës për mbledhjen e Kryesisë përmban një sërë propozimesh për seancën plenare të radhës.

Tutje, sipas njoftimit të Kuvendit, propozime tjera janë: votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH, shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me ShBA, shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Kosova.

Në mesin e tyre është propozuar votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

Një tjetër çështje që do të shqyrtohet gjatë mbledhjes së Kryesisë është propozimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Pikër tjetër për seancën plenare që pritet të diskutohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, është edhe raportimi i Qeverisë të Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare.