Tomë Gashi

Tomë Gashi për ekspertizën zvicerane të Deharit: Prokuroria Speciale duhet të tregoj të vërtetën - pa manipulime

Avokati Tomë Gashi ka reaguar pas publikimit të njoftimit nga Prokuroria Speciale ku thuhet se ekspertiza zvicerane nuk gjeti ADN tjetër në objektet që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin.

Gashi përmes rrjetit Facebook ka potencuar se Prokuroria duhet të tregoj të vërtetën, pa manipulime.

Gashi i cili është edhe përfaqësues ligjor i familjes Dehari thotë se prokuroria para se të publikonte njoftimin është dashur t’i dërgoj një kopje familjes dhe atij si përfaqësues ligjor.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ekspertizën e kanë marrë para 12 ditëve. Qëllimisht apo rastësisht bën hapa të gabueshëm në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit, ajo ka publikuar një komunikatë për media me komente të veta para se të ju dërgoj kopje të ekspertizës shtesë të Institutit Zviceran fillimisht familjes së Astrit Deharit si dhe mua si përfaqësues ligjor i familjes Dehari”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, prokuroria duhet të tregoj nëse kanë marr gjurmë të ADN-së nga të burgosurit, stafi i qendrës së paraburgimit në Prizren dhe gjithë të përfshirët kur ai ishte dërguar në spital.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marr gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, shtoi tutje Gashi.

Gashi thekson se Prokuroria Speciale po e ka më të nevojshme të jap prononcime të panevojshme dhe po luan rolin e  prokurorit të mëhershëm që tentoi të mbyllte shpejt këtë rast.

“Prokuroria Speciale duket që e ka më të rëndësishme që të jep prononcime krejtësisht të panevojshme për arsye që vetëm ata i dinë dhe është duke tentuar që ta luaj rolin e një prokurori të mëhershëm i cili tentoi ta mbyll rastin më pak se dy jave pas vrasjes se Astrit Deharit”, shtoi Gashi më tej.

Ai tutje theksoi se ky rast nuk duhet të keqpërdoret nga askush, e më së paku nga Prokuroria Speciale.

“Rasti i vrasjes së Astrit Deharit nuk do të duhet të keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale duke e shndërruar në betejë për opinion në vend që të nxjerrin Aktvendim për zhvillim të hetimeve në drejtim të gjeturave shkencore që japin vetëm një konkludim që Astrit Dehari është vrarë. Ligji thotë që palët janë te barabarta por duket që Prokuroria këtë qëllimisht apo rastësisht nuk e aplikon”, tha Gashi.

Prokuroria: Ekspertiza zvicerane nuk gjeti ADN tjetër në objektet që kanë qenë në kontakt me Deharin