Oliver Ivanoviq

Tomë Gashi njofton se Rade Basara, i dyshuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit është liruar nga paraburgimi

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se klinenti i tij, Rade Basara, që dyshohet për nxitje të vrasjes së politikanit serb nga Kosova Oliver Ivanoviq, pas tre vitesh në paraburgim, është liruar.

Sipas Gashit, urdhëruesit dhe vrasësit janë në Serbi.

“Nuk ka pse me nejt në burg me shpenzu buxhetin e Kosovës nëse vrasësit dhe urdhërdhënësit janë në Serbi. Sot, në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pas qëndrimit në paraburgim për gati 3 vjet është liruar klienti im Rade Basara”, ka shkruar Tomë Gashi në Facebook.

Sipas tij, seancat gjyqësore vazhdojnë më 21 dhe 22 korrik.

Oliver Ivanoviq, që udhëhiqte nismën qytetare “Liria, demokracia, drejtësia” (SDP), u vra më 16 janar 2018 para objektit të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, ndërkaq në janar u mbajt seanca ku dëshmuan dy dëshmitarë.

Në gjyq, katër të pandehur – Marko Rosiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedeljko Spasojeviq – akuzohen për nxitje të vrasjes, dhe dy policë, Dragisha Markoviq dhe Zarko Jovanoviq, akuzohen për manipulim të provave.

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).

Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që planifikoi vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.

Dëshmitarët e frikësuar rrezikojnë gjyqin në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit