Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Tomë Gashi: Në aktakuzën ndaj Haradinajt dhe Gucatit përmendet emri im dhe i Faton Klinakut
Avokati Tomë Gashi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se në aktakuzën e korrigjuar të Dhomave të Specializuara, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit, përmendën edhe emri i tij dhe i Faton Klinakut.
Ai duke ironizuar ka thënë se në aktakuzën e korrigjuar ‘unë kam nevojë, ndoshta edhe nuk kam, për themelimin e fondit për mbrojtjen time në Gjykatën Speciale në Hagë’.
KALLXO.com përmes telefonit ka kontaktuar avokatin Tomë Gashi, por i njëjti nuk ka pranuar të komentojë shkrimin e tij, duke thënë ‘lexoni dhe e kuptoni’ dhe ‘thirrni Gjykatën Speciale dhe iu tregon’.
Gashi, gjithashtu ka përmendur edhe Faton Klinakun nga OVL UÇK, si të ‘akuzuar’.
“Sa i përket të “akuzuarit” Faton Klinakut, ai nuk ka nevojë për mbrojtje sepse do ta mbrojë unë me para të popullit”, ka shkruar tutje Gashi.
Gjithashtu KALLXO.com ka kontaktuar edhe Faton Klinakun. I njëjti, nuk ka pranuar të komentojë shkrimin e avokatit Gashi, por ka thënë të i referohemi një shkrimi të tij në ‘Facebook’, para dy ditëve.
E në shkrimin e Klinakut para dy ditëve, përmendet një citat në aktakuzën e korrigjuar ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.
“Sikurse shtjellohet më poshtë, midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, Hysni GUCATI, Nasim HARADINAJ, Faton KLINAKU (sekretar i OVL-UÇK-së), Tomë GASHI (avokat i OVL-UÇK-së) dhe anëtarë e përfaqësues të tjerë të OVL-UÇK-së (bashkërisht me Faton KLINAKUN dhe Tomë GASHIN, “ndihmësit”), shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (“TFHS”) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik, dhe ndërmorën veprime të tjera për qëllimin e deklaruar të pengimit të punës së DHS-së/ZPS-së. Ky informacion konfidencial dhe jopublik përfshinte dokumente të shënuara si “konfidenciale” [REDAKTUAR]”, është citati i aktakuzës, ndërsa Klinaku ka pyetur se për ‘cilën drejtësi na flasin këta’.