Kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Tolaj (AAK): Kemi propozim konkret për zvogëlimin e listës së pritjes së pacientëve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), së bashku me partnerët e saj të koalicionit: Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal premtojnë se nëse vijnë në pushtet do ta zvogëlojnë listën e pritjes së pacientëve për marrjen e shërbimeve shëndetësore.

Kandidati për Deputet nga ky koalicion, Arbër Tolaj thotë se për zgjidhjen e kësaj problematike e kanë një plan konkret.

“Ne kemi një propozim konkret për zvogëlimin e listës së pritjes. Ne veçse kemi Sallat Operative. Një Sallë Operative mund të zvogëlojë listën e pritjes, pasi në të mund të kryhen diku 500 operacione brenda vitit në kuptim të endoprotezave të gjurit dhe kërdhokullës.” – tha Tolaj, në “Debat Përnime”, më 20.01.2025.

Ndër të tjera, ai potencoi se aktualisht ka mungesë të anesteziologëve, meqë ata janë kuadër deficitar.

Por, me krijimin e mundësive që për një Sallë Operative të ketë një anesteziolog, sipas tij, do të ndihmohej në uljen e listës së pritjes.

“Në qoftë se ne kemi mundësi si Klinikë me pas një anesteziolog permanent për një Sallë Operative në baza ditore, një teknik të anestezionit dhe stafin tjetër përcjellës – kirurgët e mjekët në specializim… Ky është një propozim konkret.” – tha Tolaj.

Ndërsa për zgjidhjen e kësaj çështjeje ai tha, se duhet një strategji dhe planifikim afatmesëm nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), për Spitalet regjionale dhe Klinikat e Anesteziologjisë.

Në Programin zgjedhor, Koalicioni AAK-Nisma ka paraparë që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun e vet familjar. Premtim tjetër është sigurimi i buxhetit dyvjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për të gjithë qytetarët.

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Dyfishim pagash, digjitalizim dhe zgjerim të Listës së barnave esenciale: Plani i AAK-së për shëndetësinë