
Kandidati i AAK-së, Arbër Tolaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Tolaj (AAK): Do ta zgjerojmë Listën e barnave esenciale
Kandidati për Deputet nga radhët e koalicionit AAK-NISMA, Arbër Tolaj, gjatë shpalosjes së Programit zgjedhor për fushën e Shëndetësisë, në emisionin “Debat Përnime”, ka folur ndër tjera edhe për Listën esenciale të barnave.
Lidhur më këtë, ai përmendi procedurat e prokurimit, që sipas tij, shkaktojnë telashe në blerjen e barnave esenciale.
Në këtë kontekst, ai tha se procedurat e prokurimit duhet të ndryshojnë kur bëhet fjalë për disa barna.
“Barnat për kancerin janë të nevojshme në baza ditore, jo me u prit procedurat e tenderimit, e ato afatet e Ankesave. Mendoj që procedurat e prokurimit duhet të ndryshohen.” – tha Tolaj.
Përveç ndryshimit të procedurës së prokurimit, Tolaj tha se do ta zgjerojnë edhe Listën e barnave esenciale dhe do të krijojnë një buxhet për këtë pjesë, deri në funksionalizmin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.
“Këtë Listë ne mendojmë ta zgjerojmë, të krijohet një buxhet deri në funksionalizmin e Fondit për Sigurime Shëndetësore.” – thekson ai.
Në Programin zgjedhor, Koalicioni AAK-Nisma ka paraparë që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun e vet familjar. Premtim tjetër është sigurimi i buxhetit dyvjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për të gjithë qytetarët.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim: