Tokat dhe shtëpia e Kryetarit të Gjykatës së Apelit

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, në Agjensinë kundër Korrupsionit,  ka deklaruar 6 prona  në vlerë totale prej 661 mijë euro.

Shala ka deklaruar se 4 pronat që i ka fituar përmes trashëgimisë janë një shtëpi në vlerë prej 150 mijë euro, 2 toka bujqësore njëra në vlerë prej 50 mijë euro e tjera 70 mijë euro, si dhe një lokal afarist në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Ndërsa  në vitin 2017, ai kishte blerë një shtëpi me lokal në sipërfaqe prej 240 metra katrorë në shumë prej 51 mijë euro, ndërsa banesa e deklaruar në emër të djalit është e vlerës 90 mijë euro.

Shala ka deklaruar edhe dy vetura njërën në emër të tij “Audi A6” në vlerë prej 9 mijë e 500 euro ndërsa në emër të djalit ka deklaruar veturën  “Nissan  Terano” në vlerë prej 5 mijë e 500 euro.

Ndërsa para të kursyera kryetari i Apelit  ka deklaruar shumën prej 7 mijë e 578 euro e 15 cent.

Tutje Shala, ka deklaruar se ka kredi bankare në shumë prej 12 mijë euro.

Ndërsa nga paga vjetore Shala realizon të hyra në shumë prej 30 mijë e 272 euro e 35 cent, nga meditjet në GIZ ka realizuar 11 mijë euro, nga meditjet tjera në IGJK 3 mijë e 894 euro e 35 cent.

Në emër të prindit Shala, ka deklaruar të hyra prej 4 mijë e 200 nga kontrata mbi qiranë.

Shala në emër të njërit fëmijë që punon në Këshillin Gjyqësor të Kosovës ka deklaruar të hyra nga paga në shumë prej 19 mijë e 158 euro e 88 cent, ndërsa për fëmijën që punon në Universitetin “Haxhi Zeka” deklaron të hyra nga paga në shumë prej 5 mijë e 442 euro e 60 cent.