
'TOKA' shpërblen vullnetarët e vitit
Organizata joqeveritare “TOKA” përmes një ceremonie vjetore, të mbajtur më 05.12.2024, ka shpërblyer disa qytetarë, organizata e grupe qytetarësh, të cilët punuan punë të ndryshme vullnetare gjatë vitit 2024.
Në mesin e tyre, “Figura më përkrahëse e vitit” u zgjodh Donika Shahini- Lami, e cila kishte ruajtur për 25 vite një fletore të fëmijëve të Jasharajve nga vitit 1998, derisa e kishte dhuruar në qershor të këtij vitit, për muzeun “Reporting House”.
Çmimi “Vullnetari Guximtar i Vitit”, i’u dha Gazmend Hasanit nga Mitrovica.
Hasani kishte realizuar mbi 180 orë punë vullnetare duke u angazhuar kryesisht në mbrojtjen e mjedisit në bashkëpunim me Komunën e Mitrovicës dhe organizatave të tjera.
“Ishte një ndjenjë që s’përshkruhet me fjalë kur pashë aq shumë njerëz që më duartrokitën në të njëjtën kohë. Ka qenë shumë e bukur me pa edhe reagimet prej komunitetit të Mitrovicës… më ka bërë të ndihem edhe ma i lidhur me ta, sepse e kam pa që puna jem ka pas kuptim. Po ashtu, edhe të paça një aftësi të kufizuar, kjo nuk do të thotë që nuk vlerësohem”- ishte shprehur Hasani pas marrjes së këtij çmimi.
Çmimi “Vullnetari më kreativ i Vitit” i’u nda 17 vjeçarit Dion Seferi, i cili ishte angazhuar me mbi 70 orë punë vullnetare.
Seferi kishte udhëhequr Klubin Medial të Gjimnazit “Frang Bardhi” dhe kishte organizuar sesion ndërgjegjësuese me qytetarët mbi 50 vjeç për rreziqet në internet dhe lajmet e rreme.
Viola Maksuti fitoi çmimin “Vullnetarja e Vitit” e cila kishte bërë mbi 900 orë punë vullnetare në gjithsej 15 projekte gjatë vitit 2024.
Në këto projekt ajo kishte punuar me 350 të rinj dhe promovuar barazinë gjinore në STEM (shkencë, teknologji, inxhiniering dhe matematikë).
“Të fitosh titullin “Vullnetarja e Vitit” është një nga nderimet më të bukura që një e re nga shteti ynë i ri, plot jetë – Kosova, mund të marrë. Ky çmim nuk përfaqëson vetëm një vlerësim për të kaluarën, por edhe një nxitje për të vazhduar me përkushtim në projekte të reja vullnetare”- tha Maksuti.
Çmimi Kombëtar i ‘Vullnetarizmit Edukativ’ i’u nda klubit “Kritikët”, lidere e së cilit është Ema Kuqi.
Klubi prej 24 të rinjsh të shkollave të mesme të Prishtinës krijuan një uebfaqe për të ndihmuar njerëzit të mësojnë për shëndetin mendor. Ata bën gjithçka vetë – ndërtuan uebfaqen, menaxhuan mediat sociale dhe organizuan evente me folës, si ministri Arben Vitia, duke ndikuar në më shumë se 200 persona me punën e tyre.
Ndërkaq, juria e organizatës “TOKA”, çmimin si “Komuna më Përkrahës e Vitit”, i’a ndau Komunës së Hanit të Elezit, konkretisht Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë.
“Ky çmim ju dha Hanit të Elezit për shkak të mbështetjes që kjo komunë ia bëri vullnetarëve përmes mirënjohjeve domethënëse dhe partneriteteve strategjike. Sipas jurisë përzgjedhëse, duke bashkëpunuar me organizata lokale dhe duke ofruar mbështetje praktike, komuna e Hanit të Elezit krijoi kushte që nismat vullnetare të lulëzojnë në Komunë, përkundër resurseve të limituara”- thuhet në njoftimin e organizatës.
Tutje, “Biznesi Perkrahës i Vitit”, u zgjodh organizata “Kutia”, e cila dha mbi 250 bursa trajnimi, përfshirë 30 për gratë në teknologji informative dhe një laborator IT në një shkollë në një fshat të Drenasit.
“Ambasadori i Diasporës më Përkrahës i Vitit” u zgjodh Bujar Neziri, kryetar i Klubit Futbollistik “Kosova Düsseldorf”, i cili mblodhi mbi 200,000€ për personat me aftësi të kufizuar në Ferizaj dhe duke krijuar një qendër speciale për HANDIKOS-in në Ferizaj. Ai i mobilizoi rreth 200 qytetarë që u solidarizuan përmes aktiviteteve sportive dhe humanitare për të mbledhur të holla për këtë qendër.
“Të qenit fitues të çmimit "Biznesi më Mbështetës i Vitit 2024" na përkujton përgjegjësinë që kemi si biznes. Edhe pse shërbimet tona prekin tregje ndërkombëtare dhe bashkëpunojmë me klientë e korporata të suksesshme botërore, qëllimi ynë bëhet i plotë vetëm kur kontribuojmë në zhvillimin e Kosovës. Për ne, suksesi matet edhe nga ndikimi që kemi jashtë ambienteve tona të punës, në përmirësimin ekonomik dhe shoqëror të vendit”- është shprehur Neziri.
Tutje, me mirënjohje të veçantë në këtë ceremoni u shpërblyen edhe disa vullnetarë të tjerë, si: Rea Gojani, Eronita Krasniqi, Filloreta Hoti, Vali Ibrahimi, Kimete Arifaj, Marketi “Meridian” dhe Pajtim Husaj.