Foto: Shoqata "Peja" New York

Togeri nga Peja emërohet Komandant i Detektivëve të Komisariatit Policor në New York

Shoqata “Peja” në New York njoftoi se togeri i Policisë së New Yorkut, Kreshnik Nevzat Bakraqi, nga Peja është emëruar tashmë si Komandant i Detektivëve të Komisariatit 52.

“Toger Kreshnik Bakraqi me origjinë nga qyteti jonë i bukur Peja, shënoi një sukses të radhës të komunitetit tonë profesional duke u ngritur në detyrë dhe duke u emëruar tashmë si Komandant i Detektivëve të Komisariatit 52” – thuhet në njoftimin e Shoqatës në Facebook.

Sipas kësaj shoqate, Bakraqi është shqiptaro-amerikani i parë që emërohet në një pozitë të tillë.

“Togeri Bakraqi vjen nga një familje shumë e nderuar e Pejës dhe shënon një arritje të madhe duke u bërë i pari shqiptaro-amerikan që merr një emërim kaq prestigjioz. Shoqata jonë dhe të gjithë shqiptarët duhet të ndihen krenarë për aktualizimin e potencialit të profesionistëve tanë të shkëlqyer dhe për prezantimin dinjitoz që ata bëjnë si pjesëtarë të komunitetit profesional” – përfundon njoftimi.