Ilustrim

Togeri i arrestuar nga Gjilani do të testohet për COVID-19

Një epror i policisë është arrestuar gjatë ditës së djeshme pasi që i njëjti nuk kishte përfillur urdhërat për t’u izoluar për shkak se ishte kapur së bashku me një grup personash nga Shqipëria e Serbia.

Burimet të KALLXO.com tregojnë se togeri ishte kapur së bashku me pesë persona të tjerë në një veturë në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës ndërsa gjatë ditës së sotme i janë marrë mostrat për COVID-19.

KALLXO.com mëson se personat në veturën e togerit kishin qenë punëtorë në një kazino në Karaçevë.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me prokuroren e Rastit, Rozelida Manastiri.

“Ky ka qenë nga pjesa e Karaçevës në veturë. Ka qenë vet i gjashti duke u kthyer, në kerr me vete ka pasur shtetas të Serbisë dhe Shqipërisë. Deri sa ka pasur shtetas të vendeve të tjera janë urdhëruar që të shkojnë në izolim, e ky pasi që ka qenë në veturë me ta është udhëzu me u izolu. I njëjti ka refuzuar që të zbatoj urdhërat dhe më pas janë njoftuar edhe organet e rendit. Rasti neve na ka ardhur nga IPK gjatë ditës së djeshme”, tha Manastiri për KALLXO.com.

Manastiri gjithashtu konfirmoi se i njëjti është liruar nga ndalimi për t`u dërguar në Qendrën e Studentëve e cila tani po funksionon si karantinë.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me eprorin e policisë dhe arrestimin e tij.

Prokuroria Themelore në Gjilan po vazhdon të hetoj edhe rastin se pse eprori i policisë gjendej në atë pjesë ku është kapur me pesë persona të tjerë.

 

Arrestohet një epror i Policisë së Kosovës pasi nuk pranoi vetë izolimin për COVID-19