Tmerret e masakrës në Suharekë: Nëna e plagosur më lutej t’i japë ujë

Disa orë pasi NATO kishte nisur sulmet ajrore, njësi ushtarake u futën në familjen Gashi në Tërrnje të Suharekës.

Në dokumentarin e KALLXO.com thuhet se 46 familjarë tëj familjes Gashi u vranë nga grupi që sulmoi këtë familje.

Bekim Gashi nga fshati Tërrnje në Suharekë, ka rrëfyer për KALLXO.com për masakrën në të cilën mbetën të vrara nëna e tij dhe katër motrat.

“Shtëpia ku kemi qenë na burrat një ushtarë i cili ka fol në gjuhën serbe ka thënë “gjuaje një bombë”, dhe e ka gjujtur brenda, ne kemi qëndruar të shtrirë, i ka larguar dyert e dhomës, dhe disa ushtarë të tjerë kanë gjuajtur në shtëpinë e axhës tjetër, Bajramit, aty ku ka pasur gra, është plagosur Shemsija, gruaja e djalit të axhës, dhe djali i djalit të axhës, të cilët pas plagëve që i kanë marrë kanë vdekur”, ka rrëfyer Gashi.

Ai tutje ka rrëfyer se si janë masakruar rreth 20 familjarë të tjerë nga forcat serbe, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua shtatzënë.

“Ata kanë filluar që mbrapa shtëpisë ushtria ka kaluar me i zënë refugjatët e tjerë që kanë qenë duke shkuar në drejtim të lumit, ku kanë qenë familjarët e djali të axhës, Shabanit, së bashku ai ka qenë me dajtë e vetë, nga fshati Studenqan, kanë qenë rreth 20 – 30 persona, ata ushtarët janë bërë si rreth dhe kanë gjuajtur në drejtim të tyre, dhe mbrapa shtëpisë së axhës kanë qenë të vrarë gruaja e djalit të axhës me qikë e me mbesën, ajo me familjarët e vetë, në mesin e tyre ka qenë edhe një grua shtatzënë”, tregon Gashi.

Gashi rrëfimin e tij e vazhdon duke treguar për fatin e nënës së tij dhe katër motrave të vrara.

“Ne kur i kemi pa ata që janë vrarë, unë jam ngjitur në kulmin e shtëpisë dhe në ato momente nuk e kam ditur fatin e nënës dhe motrave, kur kam shkuar tek kulmi, e kam parë që në oborrin e axhës, Muslisë, ka qenë një grumbull i njerëzve të vrarë, në mesin e tyre ka pasur edhe të plagosur ka qenë edhe nana jem, e cila ka kërkuar vazhdimisht ujë dhe ndihmë por unë nuk kam mundur të ia ofrojë”, rrëfen Gashi.

Rrëfimin e tij Gashi e tregon se si disa romë e kanë njoftuar se trupat e familjarëve të tij i kanë marr serbët me një kamion.

“Rurgës kur kam ardhur në fshat kam takuar disa romë të cilët nuk kishin qenë të zhvendosur nga fshati dhe i kam pyetur se çfarë është bërë me trupat e familjarëve të mi, ata më kanë thënë se me disa kamionë trupat e familjarëve t’i kanë marrë. Jam kthyer kam hyrë te shtëpia një herë, kam kaluar në oborin e axhës ku kanë qenë të vrarë nëna dhe katër motrat dhe anëtarët tjetë të familjes së axhës, aty nuk kam gjetur asnjë shenjë më vetëm shaminë të cilën e ka pasur nëna në kokë dhe këpucët e njërës motër”, tregon Gashi.

Gashi ka treguar se ka hapur proces gjyqësor në Serbi, në të cilin dy ushtarë ta Malit të Zi kanë qenë dëshmitarë.

“Për këtë proces unë kam hapur një proces gjyqësor në Serbi diku në muajin 15 shtator, ku dy ushtarë nga Mali i Zi kanë qenë dëshmitarë të rregullt, të cilët tregojnë për krimet që kanë bërë në familjen time , atëherë kanë thënë se ne nuk po mundemi me flejtë dhe me qenë të qetë për atë që kemi bërë, atëherë unë jam interesuar dhe kam rënë në kontakt me Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, dhe në vitin 2008 e kam bërë një padi ndaj brigadës 549 të Jugosllavisë, dhe së bashku me komplet zingjirin komandues për nëntë pjestarë, e kemi dërguar përmes postës elektronike në Gjykatën për Krime të Luftës në Beograd”, tregon Gashi.

Ai tutje ka rrëfyer se nga Beogradi kanë ardhur në zyret e EULEX në Prishtinë për ta marr në intervistë, së bashku me avokatët e të akuzuarve, dhe sipas Gashit kanë ardhur edhe në zyrë në shtator dhe kanë marrë deklaratën e tij, dhe të tetë dëshmitarve të tjerë.

“Kanë ardhur e kanë vizituar vendin ku ka ndodhur krimi, kanë qenë edhe avokatat e të akuzuarve, prokurori i EULEX-it, dhe prokurori i cili e ka pasur rastin, kur i ka marrë të gjitha dëshmitë, ai e ka shikuar nëse ka bazë për të ngritur aktakuzë dhe në bazë të dëshmive tona, ka marrë edhe dëshmi edhe prej ushtarëve që kanë qenë këtu, dhe e ka ngritur pandinë, për të akuzuarit për fshatin Tërrnje. Ata që kanë qenë, ata i ka shfajsuar, zingjin komandues, dhe fajsinë e ka hedhur në dy idividë”, tregon Gashi.

Gashi tregon se është i zhgënjyer me trajtimin e bërë në Kosovë për masakrën në familjen e tij.

“Sikur të kishin qenë të interesuara Gjykatat në Kosovë, unë nuk kisha kqyr me gjetë zgjidhje në Gjykatë në Beograd sepse jam i vetëdijshëm që Serbia vet i ka bërë krimet, e vet me i gjyku, mua asgjë nuk po më dhëmb që Serbia nuk ka bërë asgjë për këtë rast, por që Kosova nuk ka bërë asgjë për këto familje”, rrëfen Gashi.