
Tiranë, qëlloi me armë në drejtim të policëve, arrestohet 34-vjeçari
Një 34-vjeçar me inicialet K.B. dyshohet se qëlloi me armë në drejtim të punonjësve të Policisë gjatë një aksioni policor për kapjen e tij në Tiranë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arritur ta arrestojë 34-vjeçarin me precendent kriminal në fushën e armëmbajtjes dhe i janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municion luftarak.
Sipas njoftimit, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP -Tiranë pasi kanë marrë informacion për një shtetas i cili mbante armë zjarri në subjektin e tij kanë organizuar punën me qëllim kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.
“Gjatë ndalimit të shërbimeve të Policisë në subjektin e tij privat në Rinas, shtetasi i identifikuar me inicialet K. B, ka qëlluar në drejtim të Policisë nga brenda subjektit të tij. Nga të shtënat nuk ka patur të lënduar. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin e tij dhe shoqërimin për në ambientet e DVP Tiranë”- thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve, sipas njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kanë bërë arrestimin e shtetasit K.B., 34-vjeç, banues në Tiranë.
Policia njofton se në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe municion luftarak. Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.