Tiranë: Zbulohet rrjeti i shitjes së Kokainës

Njësitë policore të Shqipërisë kanë konfiskuar një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza.

Operacioni i quajtur “Restart” gjithashtu rezultoi edhe me katër persona të arrestuar në kryeqytetin shqiptar.

“Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të bëra gjatë vitit 2019, për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, si dhe në zbatim të planit të masave të hartuar për këtë qëllim, shërbimet e Komisariat të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “RESTART””, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit shqptar.

Të arrestuarit në këtë operacion janë, G. N., 19 vjeç, A. T., 19 vjeç, M. Gj., 22 vjeç dhe J. P., 18 vjeç, të katërt lindur dhe banues në Rrëshen.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtohej nga shtetasi G. N., me pasagjerë shtetasit A. T., M. Gj. dhe J. P., Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi dozash me lëndë narkotike, të dyshuar kokainë, të futura në qese farmaceutike gati për shitje, gjithsej 11.2 gr., të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet tutje në njoftim.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.