FOTO: Policia e Shtetit, screenshot/Facebook.

Tiranë, gjobiten disa persona pasi kryen manovra të rrezikshme me automjete

Disa persona në Tiranë janë gjobitur në vlerë prej 40 mijë lekë të rinj pasi që në rrjete sociale janë parë duke kryer manovra të rrezikshme me mjetet që drejtonin.

“Në datën 09.04.2023, në rrjete sociale janë postuar disa video për automjete të ndryshme, drejtuesit e të cilëve kryenin manovra të rrezikshme duke u bërë rrezik për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, në rrugën “Bulevardi i Ri””- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në këtë njoftim është bërë e ditur se nga vëzhgimet në rrjetin social TikTok, Policia Rrugore e Tiranës ka bërë identifikimi dhe ndalimi drejtuesve të automjeteve, së bashku me mjetet përkatëse.

Tutje, Policia Rrugore e Tiranës ka apeluar te qytetarët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe ka ftuar ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.