Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tiranë, fundjavë e ethshme me zgjedhjen e kandidatëve për kryebashkiakë

Partitë kryesore politike po përmbyllin këtë fundjavë listat e kandidatëve për kryetarë bashkish në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në prag të skadimit të afatit ligjor të 27 marsit për të dorëzuar emrat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste miratoi në mbledhjen e kryesisë mbrëmjen e të shtunës listën e kandidatëve për kryetarë në të 61 bashkitë e vendit.

Socialistët rikandiduan në këto zgjedhje vendore pjesën më të madhe, ose 45 nga 61, të kryebashkiakëve, që janë aktualisht në detyrë, dhe vetëm 16 kandidatë janë të rinj në disa bashki të mëdha dhe në një duzinë bashkish më të vogla.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se rikandidimet e kryebashkiakëve janë të merituara, ndërsa edhe kandidatët e rinj kanë fituar besimin e forumeve të partisë.

“Partia Socialiste ka përgjegjësinë që të zgjedhë kryebashkiakët e ardhshëm, ndërsa rivalët tanë po zgjedhin kandidatët e tyre në seli të ndryshme”, tha zoti Balla.

Mes emrave të kandidatëve të rinj socialistë është Benet Beci, që la mandatin e deputetit për të garuar për kryebashkiak në Shkodër, ku pushtetin vendor e ka opozita.

Kandidati i ri për bashkinë e Vlorës është Ermal Dredha, ku socialistët nuk rikandiduan kryetarin aktual Dritan Leli.

Në të njëjtën kohë me socialistët zhvilloi një mbledhje deri vonë pas mesnate edhe Partia Demokratike e opozitës e drejtuar nga nënkryetari Enkelejd Alibeaj.

Sipas njoftimeve, kryesia dhe kolegji i kryetarëve diskutuan jo aq për emrat e kandidatëve, por më shumë mbi format dhe kriteret e kandidimit të kësaj partie opozitare, që është regjistruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si subjekt zgjedhor.

Burime nga mbledhja bënë me dije për shtypin se vendimet përfundimtare mund të arrihen të dielën, kur ajo pritet të rinisë.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi, deklaroi sërish para kësaj mbledhje se “do të vazhdonte përpjekjet deri në afatet e fundit, që të siguronte bashkëpunimin mbi kandidatura të përbashkëta” nga një pjesë tjetër e opozitës, që mbështet ish kryeministrin Sali Berisha.

Ky i fundit ka refuzuar bashkëpunimin me zotin Alibeaj si dhe bashkimin e kandidatëve në një listë të përbashkët.

Mospajtimet mes tyre sa vijnë e thellohen qysh nga koha kur zoti Berisha u shpall non grata nga SHBA-të për korrupsion domethënës dhe cënim të demokracisë, e sidomos pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së prej ish kryetarit Lulzim Basha.

Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga grupimi i mbështetësve të ish kryeministrit Berisha pritet të dërgohen në KQZ nga Partia e Lirisë, me të cilën kanë një marrëveshje bashkëpunimi.

Zoti Berisha dhe ndjekësit e tij nuk u regjistruan nga KQZ si subjekt zgjedhor për mungesë dokumentash, ndaj kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë të tyre pritet të përfshihen në lista të përbashkëta me Partinë e Lirisë të ish presidentit Ilir Meta.

Në një tjetër mbledhje të opozitarëve, ish kryeministri Berisha ka bërë të ditur edhe një skemë ndarjeje të listës për kandidatët e këshillave bashkiakë, mes demokratëve, PL-së, PBDNJ-së dhe PDK-së, “duke ndarë së bashku edhe riskun edhe avantazhet”./VOA