Tiranë, fillon protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ‘Open Balkan’

Mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha janë mbledhur para selisë së Partisë Demokratike në pritje të fillimit të protestës së 20 dhjetorit.

Me thirrjet “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do” përkrahësit e ish-kryeministrit kanë mbushur pjesën më të madhe të oborrit të selisë blu.

Në videon e publikuar nga Top Channel, vihet re se mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha kanë fyer deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili po futej në ato momente në selinë e PD-së.

Përmes një statusi në median sociale “Facebook”, ish-lideri demokrat, Sali Berisha, ka renditur katër arsyet se përse qytetarët shqiptarë duhet të marrin pjesë në protestë.

Fillimisht, Berisha solli në vëmendje se “Vuçiç është ministër i Millosheviç-it”.

Sipas ish-kryeministrit të Shqipërisë, ai “akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia dhe vazhdon të ndjekë politikën e shefit të tij”.

Më tej, Berisha nënvizon se “Ballkani i Hapur”, sipas tij, është “projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe”.

Protesta e sotme, për ish-liderin demokrat, nuk duhet ta lejojë asesi që kjo të konkretizohet.

“Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiç-it, andaj duhet ta ndalim para se të bëhet vonë”, shkruan në vijim Berisha/TopChannel/.